Banka Qendrore Evropiane (BQE) po përgatit ridizajnimin e parë të plotë të kartëmonedhave euro, ndërsa njëkohësisht po dërgon një mesazh të qartë se paratë e gatshme nuk do t’i përkasin së kaluarës, pavarësisht përhapjes së pagesave pa para fizike dhe planeve për euron digjitale. Synimi është krijimi i kartëmonedhave më të afërta me qytetarët dhe me elemente më të avancuara sigurie.
Ridizajnimi i parë i plotë i euros
BQE-ja në korrik prezantoi propozimet për kartëmonedhat e reja, duke shënuar herën e parë që planifikohet një ndryshim kaq i madh vizual.
“Është duke u zhvilluar ridizajnimi i parë i plotë vizual i kartëmonedhave euro. Po prezantojmë tema dhe motive të reja, sepse duam që kartëmonedhat e ardhshme të jenë edhe më të afërta me qytetarët e Evropës”, deklaroi Doris Schneeberger, drejtoreshë e departamentit të kartëmonedhave në BQE.
Në listën e ngushtë janë dy tema: kultura evropiane dhe pasuria e natyrës.
Opsioni i parë përfshin figura që kanë lënë gjurmë në historinë evropiane të artit, muzikës dhe shkencës, ndërsa opsioni i dytë përqendrohet në pasuritë natyrore.
BQE-ja ka nisur një konsultim publik për t’u mundësuar qytetarëve të marrin pjesë në përzgjedhjen e zgjidhjes përfundimtare, ndërsa dizajni fitues pritet të shpallet në dhjetor të këtij viti.
Schneeberger konfirmoi se miliona evropianë tashmë kanë marrë pjesë në anketë. Megjithatë, do të duhen edhe disa vite përpara se kartëmonedhat e reja të hyjnë në qarkullim. Një burim nga sektori bankar i tha Euronews se kjo nuk pritet të ndodhë para vitit 2029.
A do të zhduket paraja e gatshme?
Schneeberger e krahasoi vendimin për ridizajnimin me rinovimin e një shtëpie.
“Askush nuk do ta rinovonte një shtëpi që planifikon ta rrëzojë së shpejti”, tha ajo.
Ndërsa pagesat po digjitalizohen gjithnjë e më shumë, BQE-ja me këtë hap synon të forcojë rolin e kartëmonedhave si një nga format kryesore të parasë publike në dispozicion të qytetarëve.
Paraja publike emetohet nga banka qendrore dhe përfshin paratë fizike – kartëmonedhat dhe monedhat – si dhe rezervat e bankave tregtare. Quhet publike sepse garantohet nga autoriteti publik.
Nga ana tjetër, paraja private krijohet nga bankat tregtare dhe kryesisht përbëhet nga depozitat në llogaritë që përdorim për transferta bankare dhe pagesa me kartë.
Euroja digjitale si plotësim, jo zëvendësim
BQE-ja po punon njëkohësisht për futjen e euros digjitale, një formë elektronike e parasë publike që mund të bëhet e disponueshme nga viti 2029.
Banka synon gjithashtu të korrigjojë pretendimet se monedha digjitale do t’i zëvendësojë plotësisht paratë e gatshme.
“Synimi ynë është të sigurojmë që pagesa me para publike të jetë gjithmonë një mundësi, qoftë me para të gatshme apo me euron digjitale. Euroja digjitale do ta plotësonte paranë e gatshme, jo ta zëvendësonte atë. Të gjithë evropianët do të vazhdojnë të kenë lirinë e zgjedhjes – të paguajnë me para të gatshme, me euron digjitale ose me mjete të tjera”, deklaroi Schneeberger.
Deri më tani vetëm një ndryshim i rëndësishëm
Kartëmonedhat euro deri tani kanë pësuar vetëm një ndryshim të rëndësishëm. Që nga emetimi i parë në vitin 2002, tema ishte “Epokat dhe stilet”, e simbolizuar nga dritare, porta dhe ura abstrakte.
“Edhe pse u rifreskuan me serinë ‘Europa’, e cila u emetua nga viti 2013 deri në vitin 2019, qasja e përgjithshme vizuale mbeti e ngjashme”, shpjegoi Schneeberger.
Kartëmonedhat aktuale paraqesin monumente që nuk ekzistojnë në realitet. Dizajni i ri synon ta ndryshojë këtë dhe të prezantojë motive me të cilat mund të identifikohen evropianët e të gjitha gjeneratave.
“Me këto propozime kemi mundësinë t’i bëjmë kartëmonedhat më të afërta me njerëzit, sepse ato do të paraqesin persona, zogj dhe ndërtesa reale”, përfundoi drejtoresha e BQE-së.















