Mediat britanike zbulojnë: Ish-komando të njësisë SAS po trajnojnë ushtarë rusë për luftën në Ukrainë

Një memorandum i inteligjencës, i siguruar nga gazeta britanike The Telegraph, pretendon se veteranë ushtarakë perëndimorë janë rekrutuar për trajnimin e shtetasve rusë dhe ushtarëve aktivë në kampe në Bullgari dhe Serbi.

Vlerësimi i përgatitur për agjencitë e inteligjencës të aleancës “Five Eyes” thuhet se ka konstatuar, me “shkallë të lartë sigurie”, se mes instruktorëve kishte persona nga struktura të ndryshme ushtarake dhe të sigurisë.

Në mesin e tyre përmenden ish-pjesëtarë të njësisë britanike SAS, Regjimentit Australian të Komandove, forcave policore amerikane dhe njësisë elitare amerikane “Navy SEALs”.

Memorandumi i përgatitur për shërbimin australian të inteligjencës bazohet në biseda me dy ish-pjesëtarë të forcave speciale australiane dhe një rezervist aktiv. Ata pretendojnë se u ishin ofruar vende pune si instruktorë në kampe ku klientët ishin shtetas rusë.

Në dokument, si një nga lokacionet kryesore përmendet qendra e kompanisë Alfa-Metal në Mejden, në veri të Bullgarisë.

Kampi ofron trajnime për forcat speciale dhe kurse të avancuara për snajperistë, me çmim rreth 4.000 euro për person. Sipas memorandumit, që nga viti 2022 shtetasit rusë kanë vazhduar të pranohen në këto kurse, duke përfshirë edhe “trajnime të avancuara për luftime nga afërsia”.

The Telegraph shkruan se në faqen e internetit të kompanisë Alfa-Metal ishte publikuar një fotografi e logos së SAS-it, si dhe një shpallje në LinkedIn për angazhimin e veteranëve të kësaj njësie.

“Aktualisht po kërkojmë një instruktor me përvojë nga SAS-i që t’i bashkohet ekipit tonë”, thuhej në shpallje.

Alfa-Metal i hodhi poshtë akuzat.

“Alfa-Metal e mohon kategorikisht pretendimin se kemi përdorur ose se përdorim ish-pjesëtarë të SAS-it britanik apo të forcave të tjera speciale perëndimore për trajnimin e shtetasve rusë ose të personave që synojnë të marrin pjesë në luftën në Ukrainë në anën e Rusisë. Ky pretendim është i pavërtetë”, deklaroi kompania për The Telegraph.

Kompania mohoi gjithashtu lidhjet me firmën ruse Alfa Region. Megjithatë, pas pyetjeve të gazetës, ajo konfirmoi se kishte pasur më herët kontakte profesionale dhe paralajmëroi rishikimin e materialeve të vjetra promovuese.

Shërbimi Australian i Inteligjencës Sekrete po i heton pretendimet e paraqitura në memorandum. Sipas një burimi të afërt me hetimin, gjetjet mund t’u dorëzohen Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara.

The Telegraph theksoi se nuk kishte arritur t’i konfirmonte në mënyrë të pavarur pretendimet e memorandumit, ndërsa disa burime nga SAS-i kundërshtuan pohimet se veteranët e njësisë kishin marrë pjesë në trajnimin e shtetasve rusë.

Kategoritë
BotaLajme