Xhaka: Nuk duhej ta kisha bërë shqiponjën ndaj Serbisë

Granit Xhaka beson se nuk duhej ta kishte bërë simbolin e shqiponjës në ndeshjen kundër Serbisë.

Zvicra kishte shënuar fitore 2:1 kundër Serbisë në Kupën e Botës së vitit 2018, falë golave të dy futbollistëve nga Kosova, Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit.

Të dy futbollistët kishin festuar duke e bërë shqiponjën me duar, festim që kishte ngjallur reagime të shumta dhe vazhdimisht komentohet edhe ditëve të sotme.

Xhaka ka dhënë së fundmi një intervistë për mediumin zviceran “Blick”, ku mes tjerash tha se nuk duhej ta kishte bërë atë festim.

“Gjithçka shkoi mirë në ndeshjen e Serbisë. Përveç shqiponjës. Nuk duhej ta kisha bërë këtë”, tha mesfushori i Arsenalit.

“E dini, unë kam pasur dy ndërprerje në karrierën time. Një në ndeshjen me Arsenalin në Crystal Palace kur u shava dhe në atë ndeshje kundër Serbisë kur bëra atë gjest”, shtoi 30-vjeçari.

“Blick” e arsyetoi “shqiponjën e Xhakës” duke përmendur faktin se babai i tij, Ragipi, ishte një i arrestuar politik nga forcat serbe. Ai ishte i dënuar me tre vjet burg.

“Ajo që përjetoi babai im është diçka që nuk do t’ia dëshironi askujt. Deri më sot e di vetëm gjysmën e kësaj historie të tmerrshme. Kur isha njëzet vjeç, doja të dija çdo detaj. E pyeta dhe e pyeta derisa babai im iku sepse nuk duronte më. Tani e di që duhet të jem i kujdesshëm. Ishte një kohë e keqe për të”, tha kapiteni i “Helvetikëve”, përcjell Gazeta Express.

Zvicra është e shortuar me Serbinë në një grup edhe në Kupën e Botës “Katar 2022”. Brazili dhe Kameruni janë dy kombëtaret tjera të Grupit G.

Xhaka u pyet nëse babai i tij do të jetë i pranishëm në stadium, teksa ai u përgjigj duke thënë: “Jo, ai qëndron në shtëpi. Familja ime nuk do të jetë atje”.

Ish-mesfushori i Baselit dhe Borussia Monchengladbachit u pyet edhe për shortin, teksa tha se Serbia do të ishte kundërshtari i fundit që do ta kishte dëshiruar.

“Ky ishte kundërshtari i fundit që e kisha dëshiruar. Por, shpresoj që deri në momentin e ndeshjes të jemi më përpara falë dy fitoreve. Atëherë ne mund ta përballojmë lojën pa presion”, deklaroi Xhaka.

Kategoritë
Sport