Vuçiq takon komandantin e NATO-s: Jemi të hapur për bashkëpunim që të ruajmë stabilitetin

“Politika serbe e neutralitetit ushtarak mbetet e qëndrueshme, por ne jemi të hapur për bashkëpunim të mëtejshëm për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, tha presidenti serb Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takua sot në Beograd me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiralin Stuart Munsch.

Vuçiq ka bërë të ditur në profilin e tij në Instagram se në takimin me admiralin Munsch kanë biseduar për çështje kyçe në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe NATO-s.

“Politika serbe e neutralitetit ushtarak mbetet e qëndrueshme, por ne jemi të hapur për bashkëpunim të mëtejshëm për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se diskutuan gjithashtu për bashkëpunimin e vazhdueshëm në kuadër të programit Partneriteti për Paqe, si dhe gatishmërinë e Beogradit për të përmirësuar të gjitha format e aktivitetit të përbashkët, përfshirë reagimin civil në situata emergjente.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë rajonale, duke mbrojtur interesat tona kombëtare. Serbia është e përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve me të gjithë partnerët, në kuadrin e parimeve të respektit të ndërsjellë dhe barazisë, dhe do të vazhdojë të kundërshtojë çdo formë të veprimeve të njëanshme që mund të kërcënojnë paqen dhe sigurinë në rajon” tha Vuçiq.

Kategoritë
LajmeRajoni