Sudani ndërpret lidhjet diplomatike me Emiratet e Bashkuara Arabe

Këshilli i Sigurisë dhe Mbrojtjes i Sudanit shpalli Emiratet e Bashkuara Arabe një “shtet agresor”, duke e akuzuar vendin e Gjirit për mbështetje të Forcave Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF)

Sudani ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ka tërhequr stafin e ambasadës nga Abu Dhabi, transmeton Anadolu.

Këshilli i Sigurisë dhe Mbrojtjes i Sudanit shpalli Emiratet e Bashkuara Arabe një “shtet agresor”, duke e akuzuar vendin e Gjirit për mbështetje të Forcave Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF).

“Për më shumë se dy vjet, e gjithë bota ka dëshmuar krimin e agresionit kundër sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë së qytetarëve të Sudanit nga Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha këshilli sudanez.

Vendimi vjen një ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë rrëzoi padinë e Sudanit që akuzonte Abu Dhabin për “bashkëpunim në gjenocid” në provincën perëndimore Darfur për mbështetjen e saj të dyshuar për RSF-në, një akuzë e mohuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Deri më tani nuk ka pasur ndonjë koment të menjëhershëm nga Emiratet e Bashkuara Arabe për vendimin sudanez.

Kategoritë
BotaLajme