Oda Tregtare Kosovaro Turke (OTKT) organizoi një takim konsultativ me Ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, Shefen e Kabinetit Jeta Tela Shema, dhe Drejtorin e Departamentit Ligjor Qëndrim Bytyqi, ku u diskutua për procedurat administrative me të cilat përballen investitorët e huaj, lejet e punës dhe të qëndrimit si dhe çështjet që lidhen me shtetësinë.
Në takimin e organizuar në formatin e mëngjesit të punës, Kryetari i Odës, Orçun Özdemir, theksoi se Oda është e gatshme që së bashku me Ministrinë të kontribuojë në përmirësimin e “procedurave administrative miqësore ndaj investitorëve”. Özdemir tha: “Një nga çështjet që për ne është shumë e rëndësishme është zbatimi i procedurave të lehtësuara dhe prioritare për kompanitë korporative dhe punëtorët e huaj me kualifikim të lartë”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, theksoi se procedurat administrative, të cilat përfshijnë edhe çështjet e sigurisë, kanë natyrshëm një sërë vështirësish, ashtu siç ndodh në mbarë botën, dhe tha se do të ishte e përshtatshme të krijohej një kanal komunikimi për këtë çështje. Sveçla deklaroi se, në përgjithësi, i qaset çështjeve në mënyrë pozitive dhe të orientuar drejt zgjidhjeve, duke u zotuar për punë në nivel teknik dhe për krijimin e një ure komunikimi me Odën.
OTKT synon të tërheqë më shumë investitorë në Kosovë
Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv i OTKT-së Meriton Sunduri, tha se OTKT është themeluar përmes një iniciative të përbashkët të kompanive investuese nga Türkiye dhe kompanive shqiptare të Kosovës, ndërsa sot është shndërruar në një platformë të rëndësishme të biznesit që përfaqëson një numër të madh kompanish nga sektorë të ndryshëm.
Këshilltarja Tregtare Seda Ulukaya, theksoi se Türkiye dhe Kosova kanë marrëdhënie të fuqishme dhe gjithnjë e më të zhvilluara ekonomike dhe tregtare, duke shprehur se ende ekziston potencial për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. Ulukaya theksoi se Oda Tregtare Kosovaro Turke është gjithashtu një nga palët e rëndësishme të interesit në marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve.
Kryetari i OTKT-së, Orçun Özdemir duke iu referuar investimeve turke në Kosovë tha se, deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2026, investimet e huaja direkte nga Türkiye kanë arritur në 517.8 milionë €, duke theksuar se pothuajse të gjitha këto investime janë realizuar nga kompanitë korporative anëtare të OTKT-së. Özdemir tha se duke përjashtuar anëtarët lokalë, punësimi i siguruar nga këto kompani në Kosovë është rreth 10,000 vende pune, ndërsa theksoi se interesi për të bërë biznes në Kosovë vazhdon të rritet.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, theksoi se një nga prioritetet e Qeverisë është tërheqja e investimeve të reja në Kosovë, duke vënë theks të veçantë në industrinë përpunuese. Nga ana tjetër, Sveçla tha se janë të vetëdijshëm për disa nga problemet e hasura në procedurat administrative dhe se po punohet për thjeshtimin e procedurave dhe digjitalizimin e shërbimeve. Sveçla, duke vënë theks të veçantë në sundimin e ligjit, theksoi se me rregulla ligjore që funksionojnë mirë dhe një burokraci të qëndrueshme do të parandalohet korrupsioni dhe parregullsitë.
U diskutua për mekanizmin e një linje komunikimi me OTKT-në
Në vazhdim të takimit anëtarët e Odës morën fjalën dhe ndanë përvojat e tyre individuale dhe institucionale. Ndër çështjet e ngritura ishin zbatimi i procedurave më të shpejta dhe më të parashikueshme për investitorët; ofrimi i shërbimeve, sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë digjitale; krijimi i një “liste të bardhë” për kompanitë korporative kredibiliteti i të cilave është verifikuar për të lehtësuar procedurat; si dhe lehtësimi i proceseve për pajisjen me leje pune dhe leje qëndrimi për punëtorët e huaj me kualifikim të lartë.
OTKT theksoi se vazhdimi i rregullt i këtyre takimeve konsultative ndërmjet sektorit publik dhe atij privat është i rëndësishëm për ndarjen e drejtpërdrejtë të problemeve me të cilat përballen investitorët me institucionet përkatëse, si dhe për zhvillimin e propozimeve për zgjidhjen e tyre. Takimi përfundoi pas shkëmbimit të ndërsjellë të pikëpamjeve, me synimin për krijimin e një mekanizmi të komunikimit.
















