Ndryshim rrënjësor në Slloveni: Hiqet shkolla nëntëvjeçare pas rezultateve katastrofike në testin PISA

Pas publikimit të rezultateve të fundit zhgënjyese të testimit ndërkombëtar PISA për vitin 2025, autoritetet sllovene kanë vendosur të ndërmarrin një hap drastik. Është paralajmëruar një reformë gjithëpërfshirëse e arsimit, e cila parashikon heqjen e sistemit nëntëvjeçar të shkollimit fillor.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Rinisë i Sllovenisë, Borut Ronçević, prezantoi planin për rikthimin e një sistemi të riformuar tetëvjeçar të arsimit fillor, i cili pritet të fillojë së zbatuari nga viti shkollor 2028/2029.

Duke e vlerësuar gjendjen aktuale në arsim si “shumë të keqe, me një prirje katastrofike”, Ronçević paralajmëroi se reforma e re do të sjellë kritere më të rrepta të vlerësimit dhe lehtësim të planeve mësimore.

Vëmendja do të zhvendoset nga mësimi mekanik përmendësh te kuptimi thelbësor i lëndës, ndërsa do të synohet forcimi i etikës së punës dhe përkujdesja më e madhe sistemore për nxënësit e talentuar.

Shkak për këto ndryshime rrënjësore u bë raporti PISA 2025, i cili tregoi se arritjet e pesëmbëdhjetëvjeçarëve sllovenë kanë rënë në nivelin më të ulët që nga fillimi i këtij testimi.

Ndërsa në shkencat e natyrës nxënësit mbetën brenda mesatares së Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), rezultatet në matematikë dhe lexim ranë ndjeshëm nën këtë mesatare.

Gjendja bëhet veçanërisht shqetësuese kur krahasohet me të dhënat e vetëm tre vjetëve më parë, kur nxënësit sllovenë shënonin rezultate mbi mesataren në matematikë dhe shkencat e natyrës.

Analizat e hollësishme tregojnë se 65 për qind e nxënësve kanë arritur nivelin bazë të njohurive në matematikë.

Një rënie edhe më e madhe është regjistruar në kuptimin e tekstit të lexuar. Nivelin bazë të aftësive në lexim e kanë arritur 64 për qind e nxënësve, krahasuar me mesataren prej 69 për qind në vendet e OECD-së.

Vetëm 3 për qind e nxënësve kanë arritur nivelet më të larta të leximit dhe të kuptuarit.

Pikë pozitive mbeten shkencat e natyrës, ku 76 për qind e nxënësve kanë arritur nivelin bazë.

Si shkaktarë kryesorë të kësaj rënieje përmenden pengimi i procesit mësimor, rënia drastike e përqendrimit dhe përdorimi i tepruar i teknologjisë.

Hulumtimi solli të dhëna shqetësuese: 48 për qind e nxënësve sllovenë përdorin mjete të inteligjencës artificiale për përgatitjen e detyrave shkollore.

Përveç kësaj, 40 për qind e nxënësve pranojnë se bashkëmoshatarët e tyre nuk i dëgjojnë fare mësimdhënësit gjatë orëve mësimore, ndërsa 22 për qind thonë se telefonat inteligjentë dhe pajisjet e tjera digjitale i pengojnë rregullisht në ndjekjen e mësimit.

Krahas problemeve me disiplinën dhe teknologjinë, arsimi slloven përballet edhe me mungesë serioze të personelit.

Vetëm 17,5 për qind e nxënësve vijojnë mësimin në shkolla ku drejtorët nuk e paraqesin mungesën e mësimdhënësve si pengesë për punën. Kjo shifër është dukshëm më e ulët se mesatarja e OECD-së prej 28,8 për qind.

Ndaj këtyre statistikave shqetësuese reagoi ashpër edhe Sindikata e Edukimit, Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Sllovenisë.

Sindikata paralajmëroi Qeverinë se këto rezultate nuk janë rastësi, por pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhencës shumëvjeçare dhe mungesës së investimeve sistemore në punonjësit e arsimit.

Kategoritë
LajmeRajoni