Nga janari në Mal të Zi paga minimale deri në 1400 euro, Spajiq: S’do të lejojmë ikjen e të rinjve

Nga janari, të gjitha pagat në Mal të Zi, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, do të rriten sipas programit të ri qeveritar EURO MODEL.

1,000 euro – paga minimale neto për të punësuarit në vendet e punës që kërkojnë arsim fillor dhe më të ulët;

1,250 euro – për të punësuarit në vendet e punës që kërkojnë arsim të mesëm;

1,400 euro – për të punësuarit në vendet e punës që kërkojnë arsim të lartë.

Programi përfshin më shumë se 250,000 të punësuar.

Përveç kësaj, një rritje shtesë e pagave do të ndodhë edhe nëse partnerët socialë e pranojnë kërkesën e Qeverisë që rritja e vlerës së koeficientit të pagave të zbatohet në mënyrë të barabartë si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, shkruan RTCG.

Pensionet, duke filluar nga viti 2027, do të harmonizohen katër herë në vit. Pensioni mesatar i prillit do të rritet mbi 600 euro. Pensioni minimal do ta kalojë shumën prej 500 eurosh.

Gjithashtu, në dhjetor, çdo pensionist do të marrë edhe 100 euro shtesë për dimër.

Qeveria e ka miratuar këtë model në mbledhjen e sotme dhe ai do t’i përcillet Kuvendit të Malit të Zi.

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, tha:

“Në botën moderne, shtetet nuk ndahen në të mëdha dhe të vogla, por në ato që i përshtaten momentit aktual duke planifikuar me shpejtësi të ardhmen dhe në ato që janë vazhdimisht të ngarkuara me problemet e së kaluarës. Mali i Zi ka qenë për një kohë të gjatë në labirintin e një ekonomie feudale me paga të ulëta, si dhe të nacionalizmit ballkanik dhe luftërave – një sistem në të cilin puna nuk shpërblehej dhe as nuk nxitej. Të dekurajuar, të rinjtë largoheshin në valë.

Pas shumë vitesh, kemi filluar ta ndryshojmë këtë model duke zbatuar një sërë reformash të suksesshme, duke dëshmuar se ekonomia mund të jetë tema numër një në politikën malazeze. Gjithashtu, kemi kuptuar se burimi më i rëndësishëm i shtetit tonë janë njerëzit tanë. Disa vende e kanë marrë lehtë humbjen e këtij burimi gjatë hyrjes në BE, duke u penduar thellë më vonë, kur disa prej tyre humbën mbi 20% të popullsisë së tyre. Ne nuk do të lejojmë që një eksod i tillë të ndodhë edhe tek ne dhe të zbehë të gjitha përfitimet e integrimit në BE.

Dje, në Parlament, miratuam një paketë ndryshimesh ligjore përmes së cilës përmbushim të gjitha kriteret përfundimtare të procesit IBAR: në vetëm dy vjet, nga zeroja deri në praktikisht 100%, duke përfunduar pjesën teknike të procesit të anëtarësimit në BE. Reformat e përshpejtuara ekonomike dhe forcimi i sundimit të ligjit po japin rezultatet e para, si dhe një rritje të fuqishme ekonomike në tremujorin e dytë.

Duke marrë parasysh informacionet se Komisioni Europian deri më tani i ka miratuar vendit tonë lirimin e gjithsej 89.3 milionë eurove nga Plani i Rritjes, se po shënojmë një sezon të shkëlqyer me turistë nga e gjithë bota, si dhe se është paralajmëruar zgjerimi i kompanive vendase dhe të huaja me reputacion, kemi arsye shtesë për optimizëm.

Ndërsa në Bruksel po i mbyllim me shpejtësi kapitujt, në Mal të Zi po hapim kapituj të rinj.

Kategoritë
Ekonomi