I dërguari më i lartë ekonomik i presidentit rus Vladimir Putin dhe drejtuesit e partisë gjermane të ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), kanë nisur përgatitjet për një takim vitin e ardhshëm, ku do të diskutohej rifillimi i furnizimit me gaz të ekonomisë më të madhe evropiane, raporton Reuters.
Bisedimet për takimin, i cili mund të mbahet që në mars, tregojnë lidhjet e afërta ndërmjet Moskës dhe AfD-së. Edhe pse një koalicion i rivalëve politikë ia ka pamundësuar ardhjen në pushtet, AfD-ja aktualisht është partia më popullore mes votuesve gjermanë.
Në takim pritet të merrnin pjesë Kirill Dmitriev, këshilltar i afërt i Putinit dhe drejtues i fondit shtetëror rus, si dhe bashkëkryetarët e AfD-së, Alice Weidel dhe Tino Chrupalla.
Para vendosjes së sanksioneve për shkak të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, Rusia siguronte më shumë se një të tretën e importeve gjermane të naftës së papërpunuar dhe mbi gjysmën e gazit natyror.
Takimi do të mbahej vetëm nëse paraprakisht arrihet një marrëveshje kornizë paqeje ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Organizatorët shpresojnë që në të të marrin pjesë përfaqësues të AfD-së, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Si vende të mundshme për samitin përmenden Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe India.
Weidel, në një intervistë për Reutersin në qershor, u angazhua për heqjen e bojkotit ndaj naftës dhe gazit rus, me arsyetimin se kjo do ta ndihmonte ekonominë gjermane, e cila po përballet me vështirësi.
Dmitriev mori pjesë këtë muaj në një takim në Moskë me përfaqësuesit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Sipas njërit prej burimeve, organizatorët shpresonin që edhe Witkoff dhe Kushner të merrnin pjesë në takimin për gazin, ku do të shqyrtohej mundësia e rihapjes së gazsjellësve rusë “Rrjedha Veriore”.
Megjithatë, një zyrtar i lartë amerikan i tha Reutersit se Witkoff dhe Kushner nuk ishin informuar për samitin e propozuar dhe as nuk kishin marrë ftesë për të.
Çdo takim i tillë do të kishte kryesisht karakter simbolik, pasi AfD-ja nuk është në pushtet. Megjithatë, përgatitjet tregojnë brishtësinë e sistemit politik gjerman, ku refuzimi shumëvjeçar i partive tradicionale për të bashkëpunuar me të djathtën ekstreme po vihet në provë nga suksesi zgjedhor i AfD-së.



















