Sipas të dhënave të brendshme të Ministrisë amerikane të Mbrojtjes për viktimat, në luftën me Iranin në Lindjen e Mesme kanë vdekur më shumë ushtarë amerikanë sesa ka bërë të ditur publikisht Pentagoni. Raporti mbështetet në deklaratat e gjashtë zyrtarëve amerikanë të njohur me të dhënat e brendshme për viktimat.
Pesë zyrtarë i thanë “The Washington Post” se kanë vdekur të paktën 22 pjesëtarë të ushtrisë amerikane, katër më shumë sesa numri i publikuar në bazën e të dhënave të Pentagonit, të njohur si Sistemi i Analizës së Viktimave Ushtarake – DCAS.
Zyrtari i gjashtë, i cili, ashtu si të tjerët, foli në kushte anonimiteti, deklaroi se që nga 28 shkurti kanë vdekur 23 ushtarë amerikanë. Atë ditë, administrata e Donald Trumpit, në bashkëpunim me Izraelin, nisi luftën kundër Iranit.
Sipas këtij zyrtari, jo të gjitha vdekjet e paraportuara lidhen drejtpërdrejt me konfliktin. Megjithatë, bëhet fjalë për pjesëtarë të forcave amerikane që ndodheshin në Lindjen e Mesme gjatë zhvillimit të luftimeve.
Zyrtari shtoi se që nga fillimi i operacioneve luftarake kanë humbur jetën edhe tre kontraktorë amerikanë të vendosur në rajon.
Sipas të dhënave të publikuara deri të premten, në bazën publike DCAS të Pentagonit figurojnë 18 pjesëtarë të vdekur të ushtrisë amerikane. Këtu përfshihen vdekjet e shkaktuara nga veprimet e armikut dhe shkaqe të tjera që nga fillimi i konfliktit me Iranin.
Detajet për vdekjet e paraportuara, përfshirë identitetin e ushtarëve dhe kohën, mënyrën dhe vendin e vdekjes së tyre, vazhdojnë të mbeten të panjohura. Zyrtarët e informuar për numrin më të lartë të viktimave shprehën pakënaqësi që humbjet shtesë të jetëve nuk janë regjistruar në sistemin publik të Pentagonit.
Pentagoni refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve lidhur me mospërputhjen në evidenca.
Lufta me Iranin, e cila sipas sondazheve është jashtëzakonisht jopopullore në mesin e publikut amerikan, është shndërruar në barrë politike për presidentin Donald Trump dhe Partinë Republikane para zgjedhjeve të nëntorit për Kongresin.
Mënyra se si administrata i regjistron viktimat ushtarake u vu nën mbikëqyrje të ashpër publike më herët gjatë këtij viti, pasi emrat e katër ushtarëve amerikanë të vrarë në luftën me Iranin u hoqën përkohësisht nga evidenca zyrtare e Pentagonit.
Regjistrimi i saktë i ushtarëve të vdekur ka rëndësi që shkon përtej transparencës ndaj publikut. Sa herë që vdes një ushtar amerikan, ushtria zhvillon hetime për të përcaktuar nëse vdekja ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave zyrtare. Këto konstatime ndikojnë në të drejtat e familjeve për kompensime dhe përfitime të tjera.
Sipas të dhënave të së premtes, në bazë figurojnë 14 vdekje gjatë operacionit “Epic Fury”, emri që administrata Trump i ka dhënë luftës me Iranin.
Katër vdekje të tjera janë regjistruar në një kategori të veçantë të quajtur “Operacionet jashtë vendit”. Ato i përkasin periudhës pas armëpushimit të korrikut ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit, i cili më vonë u prish dhe çoi në rifillimin e sulmeve.
Veçmas, Pentagoni njoftoi se që nga shkurti në Lindjen e Mesme kanë vdekur edhe dy ushtarë amerikanë gjatë misioneve që nuk lidheshin me luftën kundër Iranit. As emrat e tyre nuk figurojnë në bazën DCAS, ndonëse ata vdiqën në bazat që ishin vënë në shënjestër nga forcat iraniane.
Rreshteri Devin Seibel vdiq më 31 maj në Erbil të Irakut, në një aksident gjatë stërvitjes, njoftoi Ministria e Mbrojtjes. Në deklaratë thuhej se ai ishte dislokuar në kuadër të operacionit “Inherent Resolve”, fushata kundër militantëve të Shtetit Islamik. Emri i Seibel nuk figuron në mesin e viktimave të këtij operacioni në bazën DCAS.
Majori Sorffly Davius pësoi një krizë të paspecifikuar shëndetësore në Kuvajt dhe vdiq më 6 mars. Nuk dihet nëse vdekja e tij ishte e lidhur me ndonjë sulm iranian. Në njoftimin për vdekjen e tij thuhej se ai ishte dislokuar në kuadër të operacionit “Spartan Shield”, një mision i përqendruar në bashkëpunimin me ushtritë e vendeve të rajonit.
Që nga fillimi i konfliktit me Iranin janë plagosur më shumë se 820 pjesëtarë të ushtrisë amerikane, sipas bazës publike të të dhënave për viktimat. Shumë prej tyre kanë pësuar lëndime traumatike të trurit gjatë kundërsulmeve iraniane ndaj bazave amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme.
Lufta ka pakësuar rezervat amerikane të armatimit preciz, ka dëmtuar bazat amerikane në Gjirin Persik dhe ka tronditur tregjet globale të energjisë pasi Teherani mbylli Ngushticën e Hormuzit, rrugë detare vendimtare për transportin e naftës dhe plehrave kimike.
Sipas një dokumenti të shqyrtuar nga “The Washington Post”, Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane – CENTCOM, e cila mbikëqyr operacionet në Lindjen e Mesme, ka vlerësuar se lufta me Iranin deri në fillim të shtatorit kishte kushtuar rreth 43,6 miliardë dollarë.
Në këtë shumë përfshihen 28 miliardë dollarë municione të shpenzuara gjatë konfliktit, por jo dëmet e shkaktuara në bazat amerikane.
Sipas raportimit të muajit të kaluar, disa zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë e paralajmëruan sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, se vazhdimi i operacioneve të mëdha ushtarake kundër Iranit ishte i paqëndrueshëm dhe rrezikonte ta dobësonte aftësinë e ushtrisë amerikane për t’u përballur me kërcënime në zona të tjera, përfshirë territorin e SHBA-së.
Sipas një sondazhi të Reutersit dhe Ipsosit të zhvilluar në shtator, 28 për qind e amerikanëve e mbështesin qasjen e Trumpit ndaj Iranit, ndërsa 62 për qind nuk e miratojnë atë.
Të martën, një numër rekord prej shtatë përfaqësuesish republikanë iu bashkua demokratëve dhe ndihmoi në miratimin e një mase kryesisht simbolike që synon ndalimin e luftës. Kjo ishte rezoluta më e fundit në serinë e nismave për kompetencat e luftës që kanë kaluar procedurat në Kongres.
Të gjitha vdekjet dhe plagosjet në luftë duhet të raportohen publikisht në sistemin DCAS të Pentagonit, ku ushtria evidenton pjesëtarët e vrarë ose të plagosur në konflikte.
Gjatë verës, kur katër vdekje në luftime u hoqën përkohësisht nga baza e të dhënave, administrata Trump i riklasifikoi armiqësitë me Iranin si “operacione jashtë vendit”, në vend që t’i regjistronte në kuadër të operacionit “Epic Fury”.
Ndryshimi ndodhi në kohën kur negociatorët amerikanë po përballeshin me vështirësi për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje me Teheranin. Ai përkoi edhe me përpjekjet e administratës për ta paraqitur luftën si sukses, ndonëse Irani vazhdoi t’i sulmonte forcat amerikane dhe anijet në Ngushticën e Hormuzit.
Demokratët në Senat premtuan se do ta hetojnë mënyrën se si Pentagoni vepron me raportimin e vdekjeve të ushtarëve, nëse pas zgjedhjeve të mesmandatit presidencial rimarrin shumicën.
Përfaqësuesit Pat Ryan nga Nju Jorku, Jason Crow nga Kolorado dhe dhjetë demokratë të tjerë në Dhomën e Përfaqësuesve, të gjithë veteranë ushtarakë, njoftuan të premten se po punojnë për një propozim ligjor që do t’ia ndalonte Pentagonit manipulimin e të dhënave shtetërore për viktimat ushtarake.
Republikani Thomas Massie nga Kentucky nisi këtë javë një nismë për votim në Dhomën e Përfaqësuesve për shkarkimin e Hegsethit për shkak të luftës. Ai pretendon se sekretari i Mbrojtjes ka shkelur dispozitat e Ligjit për Kompetencat e Luftës të vitit 1973, duke nisur dhe vazhduar armiqësitë pa miratimin e Kongresit.



















