Të Gjelbrit austriakë kërkojnë sqarime për takimin Hahn–Vuçiq një ditë para varrimit të Mladiqit

Të Gjelbrit e Austrisë kanë kërkuar sqarime lidhur me takimin e fundit të presidentit të Këshillit të Përgjithshëm të Bankës Kombëtare të Austrisë (OeNB) dhe ish-komisionerit evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi u zhvillua vetëm një ditë para varrimit të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mladiq.

“Ndërsa BE-ja, përballë glorifikimit të Mladiqit, vendos kufij të qartë, pikërisht ish-komisioneri i saj për Zgjerim ulet në një tryezë me Vuçiqin. Hahn sot është president i Këshillit të Përgjithshëm të Bankës Kombëtare të Austrisë. Sa privat mund të jetë një takim me presidentin e një shteti kur edhe vetë jeni president i Këshillit të Përgjithshëm të OeNB-së?”, pyeti politikania e të Gjelbërve, Meri Disoski.

Vuçiq publikoi fotografi nga takimi, ku përveç Hahnit morën pjesë edhe ish-kancelari austriak Sebastian Kurz dhe disa biznesmenë. Presidenti serb i cilësoi të ftuarit si “miq nga Austria dhe Gjermania” dhe foli për ide të reja, biznese dhe investime.

Megjithatë, Banka Kombëtare e Austrisë i deklaroi revistës Profil se pjesëmarrja e Hahnit në takim kishte qenë “ekskluzivisht private”.

“Po i njëjti Vuçiq e prezanton paraardhësin e saj si ‘mik nga Austria’ dhe publikisht e lidh takimin me biznese dhe investime. Kjo nuk përputhet me versionin e një vizite ekskluzivisht private dhe duhet të sqarohet”, thuhet në reagim.

Disoski kujtoi se komisionerja aktuale evropiane për Zgjerim, Marta Kos, kishte anuluar vizitën e saj në Beograd për shkak të glorifikimit të Mladiqit, ndërsa Vuçiq e kishte përqeshur arsyetimin e saj duke e quajtur “budalla”.

Të Gjelbrit kërkojnë nga ministrja e Jashtme e Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, të bëjë të ditur nëse Ministria e Jashtme apo Ambasada e Austrisë kishin dijeni për takimin e Hahnit me Vuçiqin dhe nëse kishte pasur kontakte apo koordinim lidhur me të.

Nga ministri i Financave, Markus Marterbauer, kërkohet informacion se çfarë dinte ministria e tij për udhëtimin e presidentit të Këshillit të Përgjithshëm të OeNB-së dhe nëse për këtë udhëtim ishin përdorur burime të Bankës Kombëtare të Austrisë.

Disoski theksoi se Serbia “mund dhe duhet ta ketë vendin e saj në Bashkimin Evropian”, por rruga drejt anëtarësimit kalon përmes sundimit të ligjit, demokracisë dhe respektimit të vlerave themelore evropiane.

Ajo shtoi se glorifikimi i një personi të dënuar për gjenocid dhe krime të tjera lufte nuk është një çështje dytësore që mund të anashkalohet dhe më pas të vazhdohet thjesht me një takim tjetër miqësor.

Kategoritë
LajmeRajoni