Raporti skandaloz: Autoritetet serbe përdorin softuerë izraelitë për të spiunuar gazetarët dhe aktivistët

Policia dhe shërbimet inteligjente në Serbi përdorin produkte të avancuara të forenzikës mobile dhe një softuer spiun ende të pahetuar për ndjekje të paligjshme të gazetarëve, aktivistëve mjedisorë dhe mbrojtësve të të drejtave civile.

Raporti i Amnesty International, i transmetuar nga Guardian, tregon se produktet e forenzikës mobile nga kompania izraelite Cellebrite përdoren për të zhbllokuar dhe nxjerrë të dhëna nga pajisjet mobile të individëve, të cilët janë “infektuar” me një sistem të ri spiunues Android të quajtur NoviSpy.

“Autoritetet në Serbi përdorin teknologjinë e mbikëqyrjes dhe taktikat e shtypjes dixhitale si mjete të kontrollit dhe represionit shtetëror të zgjeruar kundër shoqërisë civile,” tha Dinushika Dissanayake nga Amnesty International.

Dissanayake, zëvendësdrejtoreshë rajonale e Amnesty për Evropën, tha se raporti tregon se produktet e Cellebrite, të përdorura nga policia dhe shërbimet inteligjente në mbarë botën, mund të përbëjnë një “rrezik të madh” për aktivistët “kur përdoren jashtë kontrolleve të rrepta ligjore”.

Këto mjete mundësojnë nxjerrjen e të dhënave nga një gamë e gjerë pajisjesh, përfshirë telefonat më të fundit Android dhe iPhone, dhe mund t’i zhbllokojnë ato pavarësisht nga fjalëkalimi i vendosur.

NoviSpy, ndonëse teknikisht më pak i avancuar se softuerët shumë invazivë si Pegasus, gjithsesi i lejon autoriteteve të regjistrojnë të dhëna personale të ndjeshme nga telefoni i shënjestruar dhe të aktivizojnë në distancë mikrofonin ose kamerën e telefonit.

Raporti dokumenton se si autoritetet në Serbi përdorin produktet e Cellebrite për të mundësuar që NoviSpy të “infektojë” telefonat mobilë të gazetarëve dhe aktivistëve.

Sipas raportit, gazetari Slaviša Milanov u ndalua për një kohë të shkurtër nga policia në shkurt të këtij viti, me pretekstin e një testi për drejtimin në gjendje të dehur.
Telefoni i tij Android ishte i fikur kur ia dorëzoi policisë dhe nuk iu kërkua kurrë fjalëkalimi.
Pas lirimit, Milanov vuri re se telefoni i tij, i lënë në recepsionin e stacionit të policisë, dukej se ishte manipuluar pa leje dhe të dhënat e tij ishin fshirë.

Analiza e laboratorit të Amnesty-së tregoi se telefoni ishte zhbllokuar nga një produkt i Cellebrite dhe se në të ishte instaluar NoviSpy.

Gjithashtu, u gjetën prova forenzike që tregonin se produktet e Cellebrite ishin përdorur për të zhbllokuar telefonin e aktivistit mjedisor Nikola Ristić.

Amnesty tha se kishte njoftuar Android dhe Google për këtë softuer dhe se ai ishte hequr nga pajisjet Android të prekura.
Google gjithashtu dërgoi paralajmërime për “sulme të mbështetura nga qeveria”.

Cellebrite nuk dha asnjë përgjigje ose koment për raportin, i cili iu dërgua para publikimit, tha Amnesty.
Autoritetet serbe, gjithashtu, nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Gjatë procesit të hetimit, kompania izraelite dërgoi një përgjigje të shkurtër për Amnesty-n, ku thuhej se nuk është një kompani mbikëqyrjeje dhe nuk ka ofruar teknologji të mbikëqyrjes kibernetike apo softuer spiunimi.

Cellebrite deklaroi se produkti i saj është një “platformë hetimore dixhitale që pajis agjencitë e zbatimit të ligjit me teknologjinë e nevojshme për të mbrojtur dhe shpëtuar jetë, për të përshpejtuar drejtësinë dhe për të ruajtur privatësinë e të dhënave”.

Kategoritë
LajmeRajoni