Raporti i Borrellit për Kosovën mund të përfshijë edhe mbylljen e degëve të bankës serbe në veri

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka ka paralajmëruar se në raportin për heqjen e masave eventuale ndaj Kosovës, gjithashtu, përfshihen edhe zhvillimet e fundit, përfshirë këtu mbylljen e pikave ilegale të bankave serbe në vend dhe aksionin e Policisë së Kosovës për konfiskimin e dinarëve.

Stano në një konferencë për media sot, tha se raporti ende nuk ka përfunduar dhe rrjedhimisht nuk i është dërguar as shteteve anëtare.

“Masat janë vendosur si përgjigje e hapave të pakoordinuar e të njëanshëm që dërgojnë drejtë eskalimit të mëtejmë, dhe nuk ndihmojnë në deeskalim. Ato ishin vendosur me qëllimin që të motivojnë autoritetet kosovare që të punojnë drejt deeskalimit, kështu që sigurisht gjithçka që po ndodh në terren dhe ka ndikim negativ në përpjekjet për deeskalim, po merret parasysh dhe përfshihet në raport”, ka thënë Stano të martën.

Me një operacion policor, autoritetet kosovare mbyllën në veri të Kosovës gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës së Serbisë, duke nxitur kështu reagime të autoriteteve ndërkombëtare.

Ata thanë se Kosova nuk u koordinua me aleatët për këtë veprim, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Departamenti amerikan i Shtetit shprehu zhgënjimin për mbylljen nga policia e Kosovës të gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit, duke thënë se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se ai “përshkallëzon tensionet”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier tha se ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe, sipas tij, i përshkallëzon tensionet.

Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës angazhim konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar “si kanalin e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Edhe Bashkimi Evropian në një deklaratë të lëshuar tha se ky aksion u bë pa paralajmërim dhe koordinim paraprak vetëm pak ditë pas takimit të fundit në Bruksel, ku siç u tha në deklaratë, u trajtuar edhe çështja e kësaj banke.

Për BE-në aksioni ishte përshkallëzues dhe bie ndesh me frymën e normalizimit të marrëdhënieve.

“Mbyllja dhe konfiskimi i këtyre zyrave pa paralajmërim apo koordinim paraprak dhe vetëm pak ditë pas takimit të fundit të dialogut, ku u trajtua edhe çështja e ambienteve të Bankës së Kursimeve Postare, është përshkallëzuese dhe bie ndesh me frymën e normalizimit dhe cenon mirëbesimin e Kosovës në në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve përmes dialogut”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga BE.

BE ka kritikuar institucionet kosovare për veprime të njëanshme dhe mosbashkëpunim me aleatët e saj. /Reporteri.net/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi