Policia për incidentin në Zubin Potok: Nuk kemi arritur të gjejmë prova materiale

Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka sqaruar incidentin e djeshëm që ndodhi në malet e Zubin Potokut, ku dy persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në afërsi të një grupi të alpinistëve.

“Ju informojmë se lidhur me incidentin e datës 09.05.2021, në zonën e komunës Zubin Potok, përkatësisht të fshatit Bube, Policia e Kosovës, që nga pranimi fillestar i informacionit ka ndërmarr të gjitha veprimet operative dhe ato preliminare hetimore, me qellim të zbardhjes së rrethanave të incidentit të raportuar. Policia menjëherë ka ndërmarr veprimet në kërkim dhe identifikim të vendit të ngjarjes dhe provave të mundshme materiale. Në zonën malore të fshatit Bube, janë dërguar njësite patrulluese policore të mbështetura nga hetuesit policor dhe Njësia për Reagim të Shpejtë, të cilët kanë kontrolluar zonën dhe kanë biseduar me banorë të asaj zone, me qellim të sigurimit të informatave rreth rastit. Gjatë ditës së djeshme, edhe përkundër kërkimeve në terren, policia nuk ka arritur të gjej prova materiale përkatësisht gëzhoja të armës së shkrepur”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka njoftuar se dëshmitaret e rastit, përkatësisht ankuesit e këtij rasti, sot gjatë ditës janë intervistuar nga Policia e Kosovës, pasi të njëjtit gjatë ditës së djeshme nuk kane dhëne deklarata me pretekst se deklaratat do ti deponojnë në polici në Prishtinë.

“Sot nga orët e paradites, policia ka siguruar deklaratat e dhjetë (10) ankuesve, ndërsa hetuesit policor së bashku me dëshmitaret dhe njësitë policore mbështetëse do të bëjnë serish shikimin e vendit të ngjarjes me qellim të kërkimit të provave materiale. Policia e Kosovës, ka kërkuar bashkëpunimin dhe ndihmën e banorëve të zonës se Zubin Potokut, për zbardhjen e rastit të raportuar”, thuhet në sqarimin e policisë.

Policia thekson se të gjitha veprimet policore në lidhje me rastin do të koordinohen në bashkëpunim me prokurorinë themelore në Mitrovicë.

Ndryshe Telegrafi dje ka raportuar lidhur me këtë incident, madje ka publikuar edhe video-incizimin nga momenti ku dëgjohen të shtënat e shumta me armë zjarri.

Kategoritë
LajmeVendi