Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj dështimit të themelimit të kompanisë komunale “Pastrimi”, duke akuzuar subjektin politik Vetëvendosje se ka sabotuar procesin.
Rama, përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar asamblistët që, sipas tij, nuk e kanë mbështetur themelimin e kompanisë, duke thënë se pasojat e këtij vendimi po i bartin qytetarët e Prishtinës, transmeton Klankosova.tv.
“Me votën tuaj e latë qytetin në bërllog, lagjet ku jetoni vetë, rrugët ku ecin fëmijët tuaj, familjet tuaja. Krejt qytetarët e Prishtinës i lini në bërllog”, ka deklaruar Rama.
Ai ka shprehur kritika të ashpra edhe ndaj sjelljes së asamblistëve në Kuvendin Komunal të Prishtinës, duke thënë se qytetarët që u kanë dhënë votën mund të jenë të zhgënjyer me veprimet e tyre.
“Mjerë ata qytetarë që ju kanë votuar dhe ju kanë besuar kur ju keni shitë pallavra se jeni këtu për të mirën e tyre. Besoj që secili votues i juaji sot ndihet i turpëruar kur e sheh çka bëni ju këtu, jo veç me votën tuaj, por edhe me sjelljet në Asamblenë e Kryeqytetit”, është shprehur Rama.
Kryetari i Prishtinës e ka cilësuar të pakuptimtë, sipas tij, mosmbështetjen e një vendimi që synon zgjidhjen e problemit të mbeturinave në kryeqytet.
“Mos me votu me u hek bërllogu prej dyerve tona, prej lagjeve tona, prej rrugëve ku ecin fëmijët tanë, e kalon secilin nivel të logjikës. Kjo i bjen me punu kundër vetëvetes!”, ka thënë ai.
“Seriozisht, jeni për studim!”.

















