Dy diplomatë serbë janë larguar zyrtarisht nga Bosnjë e Hercegovina, pasi Ministria e Punëve të Jashtme e BeH-së i shpalli persona të padëshiruar, përkatësisht persona non grata.
Sipas informacioneve të portalit Klix.ba, atasheu ushtarak i Republikës së Serbisë, Milan Dulanović, u largua dje nga territori i Bosnjë e Hercegovinës, saktësisht në orën 12:05.
Ndërkaq, është konfirmuar se diplomati tjetër, këshilltari i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), Danko Maksimović, ishte larguar nga BeH-ja më herët, më 1 shtator.
Megjithatë, mandati i tij diplomatik nuk përfundoi formalisht deri në marrjen e vendimit zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të BeH-së për shpalljen e tij person të padëshiruar.
Krahas urdhrit për dëbimin e dy diplomatëve serbë, ministri Elmedin Konaković nënshkroi edhe vendimin për kthimin në selinë e ministrisë, për konsultime, të tre punonjësve të rrjetit diplomatik dhe konsullor të Bosnjë e Hercegovinës.
Zyrtarët duhet të paraqiten në Sarajevë më së largu deri të mërkurën. Sipas informacioneve në dispozicion, konsultimet mund të zgjasin për një periudhë më të gjatë, gjë që në praktikën diplomatike shpesh sinjalizon vazhdimin e ftohjes së marrëdhënieve.
Këto masa pasuan urdhrin që ministri i Punëve të Jashtme i BeH-së, Elmedin Konaković, nxori të mërkurën për dëbimin e dy përfaqësuesve të Ambasadës së Serbisë në Sarajevë. Atyre iu dha një afat i prerë prej 48 orësh për t’u larguar nga vendi.
Duke reaguar ndaj vendimeve gjatë një paraqitjeje në Radio-Televizionin e Serbisë (RTS), presidenti serb Aleksandar Vučić deklaroi se Beogradi nuk do të përfshihet në “matricën e deklaratave histerike”, por do të përgjigjet me masa reciprociteti.
Vučić theksoi se Beogradi do t’i marrë vendimet në mënyrë racionale dhe pa nxitim, për të mos i dëmtuar më tej marrëdhëniet. Ai shtoi se Serbia nuk do t’i dëbojë diplomatët e Bosnjë e Hercegovinës të emëruar nga Republika Sërpska.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë deklaroi se veprimet e Sarajevës përbëjnë një hap jokonstruktiv që dëmton stabilitetin rajonal.
Ministria gjithashtu bëri të ditur se Beogradi “nuk do të kontribuojë në vazhdimin e spirales së përshkallëzimit”.

















