Transmetuesi francez heq ritransmetimin e programit pasi aktorja Adele Haenel denoncon gjenocidin në Gaza

– “Shteti i Izraelit po kryen gjenocid në Palestinë dhe Franca është bashkëfajtore. Mos e pranoni të papranueshmen. Prandaj, vendosni sanksione ndaj Izraelit dhe liri për Palestinën”, tha aktorja Haenel.

Transmetuesi publik francez “France Televisions” ka hequr ritransmetimin e një programi televiziv, në të cilin aktorja Adele Haenel akuzon Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Gaza dhe Francën për bashkëfajësi, transmeton Anadolu.

Haenel në një video të publikuar në Instagram tha se më 9 shtator mori pjesë drejtpërdrejtë në programin letrar “La Grande Librairie” të “France 5”. Ajo tha se foli në fund të programit, gjatë një segmenti në të cilin të ftuarve iu dha liri e plotë e shprehjes, duke diskutuar për përpjekjet për t’i heshtur ata që flasin kundër dhunës seksuale dhe gjenocidit në Palestinë.

Haenel tha se ekipi i saj e regjistroi segmentin pasi prisnin që deklaratat e saj të hiqeshin gjatë redaktimit, por transmetuesi në vend të kësaj hoqi nga faqja e tij të gjithë ritransmetimin e programit. Vendimi nxiti kritika nga ligjvënësit e partisë së majtë “Franca e Papërkulur” (LFI).

Deputetja e LFI-së, Gabrielle Cathala, në rrjetin social amerikan X tha se ritransmetimi u hoq pasi Haenel denoncoi gjenocidin e Izraelit ndaj popullit palestinez dhe bashkëfajësinë e Francës.

Deputetja tjetër e LFI-së, Daniele Obono, e cilësoi vendimin si “skandaloz” ndërsa deputeti Aymeric Caron tha se deklaratat e Haenelit për Gazën ishin të sakta.

Caron akuzoi transmetuesin publik francez se kishte dështuar në raportimin e tij për Gazën gjatë tre viteve të fundit dhe tha se ai duhet të shpjegojë se kush ushtroi presion dhe kërkoi heqjen e ritransmetimit.

Sipas revistës franceze “Telerama”, “France Televisions” tha se e hoqi ritransmetimin pasi deklaratat e Haenelit për Palestinën nuk ishin balancuar me një pikëpamje të kundërt gjatë transmetimit.

Duke folur në fund të programit, Haenel tha: “Edhe unë kam marrë një vendim, do të flas”.

“Shteti i Izraelit po kryen gjenocid në Palestinë dhe Franca është bashkëfajtore”, tha ajo.

“Mos e pranoni të papranueshmen. Prandaj, vendosni sanksione ndaj Izraelit dhe liri për Palestinën”, shtoi ajo.

Kategoritë
BotaLajme