Policia në qytetet kryesore amerikane po përgatitet për trazira të mundshme nëse ish-presidenti Donald Trump arrestohet këtë javë si pjesë e një hetimi për pagesat e paligjshme.
Autoritetet në Nju Jork, Uashington dhe Los Anxhelos po rrisin praninë e policisë.
Një prokuror i Manhattanit mund të padisë Trump për dyshimet se ai pagoi një yll porno që të heshtte për një aferë që dyshohet se kishin. Do të ishte çështja e parë penale kundër një ish-presidenti amerikan.
Barrikada prej çeliku u ngritën të hënën jashtë Gjykatës Penale të Manhatanit, ku Trump mund të vihej në gjyq, të merrej gjurmët e gishtave dhe të fotografohej nëse akuzohej këtë javë, siç pritej gjerësisht nga mediat amerikane.
Prezenca e shtuar e policisë vërehet edhe para Kullës Trump në Nju Jork.
Të gjithë anëtarët e Departamentit të Policisë së Nju Jorkut (NYPD), përfshirë detektivët me rroba civile, u urdhëruan të mbanin uniformë të plotë të martën dhe u vunë në gatishmëri për mobilizim, tha një burim policor për CBS.
Çështja Stormy Daniels përqendrohet në mënyrën se si Trump rimbursoi ish-avokatin e tij, Michael Cohen, pasi ai i pagoi Daniels 130,000 dollarë për të mbajtur heshtje përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 për një aferë të dyshuar me Trumpin që kishte ndodhur disa vite më parë.
Ish-presidenti ka mohuar çdo marrëdhënie të tillë me Daniels. Mbrojtja gjithashtu pretendon se Trump nuk e dinte që Cohen e kishte paguar Daniels që të mos dilte në publik.
Regjistrimi i rimbursimit për Cohen thotë se ishte për “tarifa ligjore”, por besohet se në të vërtetë ishte rimbursim për paratë që Cohen i pagoi Daniels.
Prokurorët mund të argumentojnë se kjo përbën falsifikimin e të dhënave të biznesit, që është një kundërvajtje në Nju Jork, megjithëse mund të trajtohet gjithashtu si një krim.