Policia turke arreston nëntë persona për publikimin e simboleve naziste në internet

Policia turke arrestoi në Ankara nëntë persona, shtatë prej të cilëve të mitur, nën dyshimin se kanë shpërndarë në internet përmbajtje raciste dhe të dhunshme.

Ekipet e Njësisë për Mbrojtjen e të Miturve dhe të Njësisë së Inteligjencës pranë Drejtorisë së Sigurisë në Ankara nisën operacionin pasi identifikuan të dyshuarit që publikonin materiale raciste dhe të dhunshme në platformat digjitale.

Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, policia gjeti armë, përfshirë pistoleta dhe thika, si dhe materiale të ndryshme me simbole naziste.

Operacioni është pjesë e luftës më të gjerë kundër ekstremizmit të djathtë në Turqi, i cili u vu në qendër të vëmendjes pas sulmit të vitit të kaluar në qytetin Eskişehir.

Në atë sulm, 18-vjeçari Arda Küçükyetim plagosi me thikë pesë persona të moshuar dhe e transmetoi të gjithë sulmin drejtpërdrejt në internet.

Ai mbante veshje dhe pajisje me simbole naziste. Para policisë kishte pranuar se nuk ishte motivuar nga feja, por nga urrejtja ndaj njerëzve dhe dëshira për të tërhequr vëmendje.

“E bëra sepse nuk i dua njerëzit dhe dëshiroja të shkaktoja bujë”, deklaroi sulmuesi.

Për veprën penale të tentativës për vrasje, ai rrezikon një dënim të gjatë me burgim.

I riu kishte lënë edhe një manifest, në të cilin lavdëronte vrasës masivë si Anders Breivik dhe Brenton Tarrant, autorin e sulmeve ndaj xhamive në Zelandën e Re.

Elementi që i lidh drejtpërdrejt sulmues të tillë në vende të ndryshme të botës është përdorimi i simbolit të njohur si “Dielli i Zi”, një simbol i vjetër nazist që ekstremistët e sotëm e përdorin shpesh në vend të svastikës.

Kategoritë
BotaLajme