Pas Kukës nënshkruhet kontrata për ndërtimin e aeroportit të Vlorës

Gjatë fjalës në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës, në lidhje me këtë investim, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se konsorciumi i ka të gjitha kapacitetet për ndërtimin e këtij aeroporti.

Në Tiranë është nënshkruar kontrata koncesionare midis Qeverisë së Shqipërisë dhe konsorciumit fitues për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, raporton Anadolu Agency( AA).

Gjatë fjalës në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës, në lidhje me këtë investim, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se konsorciumi i ka të gjitha kapacitetet për ndërtimin e këtij aeroporti.

“Unë besoj që aeroporti i Vlorës është një motor i ri për ekonominë shqiptare. Ne do të hapim katër porta nga qielli, do t’i hapim me këmbëngulje, me punë të madhe, me durim të madh siç kemi pasur deri më tani me thënë të drejtën. Nëse mua personalisht më ka vajtur gjithë kjo kohë, më ka vlejtur për të njohur një dimension të vetes time që nuk e kisha ditur që e kisha durimin, për të kalitur durimin”, tha Rama.

Rama tha se i kanë ndërtuar programet së bashku me partnerët dhe sipas tij në Vlorë do të ketë edhe një akademi aviacioni.

“Aeroporti i Vlorës do të shënojë një hap të ri në aviacionin civil shqiptar”

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku theksoi se aeroporti i Vlorës me specifikat e tij, me pistën mbi 3 kilometra që do të akomodojë të gjitha fluturimet transoqeanike, me sektorin e ri të mirëmbajtjes së avionëve dhe me kargon, me transportin e mallrave përmes ajrit, do të shënojë sipas saj një hap të ri në aviacionin civil shqiptar.

“Aeroporti ndërkombëtar i Vlorës është në strategjinë tonë për zhvillimin e aviacionit civil një nga veprat më të mëdha, është aeroporti i të gjithë shqiptarëve, i cili është dizenjuar për të akomoduar të gjitha fluturimet kudo në botë dhe sidomos në veçorinë e fluturimeve transoqeanike që deri më sot nuk janë ofruar nga vendi jonë për shkak të pistës jo të përshtatshme në aeroportin e Rinasit”, theksoi Balluku.

Balluku tha më tej se punimet për aeroportin e Vlorës do të nisin brenda 14 muajve, pasi do ketë një fazë përgatitore përsa i përket studimit mjedisor. “Duhet të theksojmë që aeroporti i Vlorës jo vetëm injektimin direkt mbi 100 milionë euro investim në ekonomi, por ndikimet indirekte të këtij aeroporti janë të jashtëzakonshme”, u shpreh më tej ministrja Balluku.

Ndërkaq, Behgjet Pacolli, kompania e të cilit është pjesë e konsorciumit që ka fituar garën për ndërtimin e këtij aeroporti, gjatë fjalës së tij tha se të gjithë do të jenë krenar me këtë objekt.

“Kjo kontratë ka rëndësinë e vet. Është një rast jashtëzakonisht i mirë, edhe për mua, për kompaninë, por edhe për partnerët e mi të cilët bashkëveprojnë në këtë projekt. Jam krenar që këtë e bëj për popullin tim, për kombin tim. Sigurisht jam po ashtu krenar që këtë punë e bëj me njerëzit të cilët kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë në ndërtimin e Shqipërisë moderne dhe Shqipërisë evropiane”, tha Pacolli.

Sipas Qeverisë së Shqipërisë, me nënshkrimin e kontratës hapet rruga për ndërtimin e një prej veprave më madhore të aviacionit civil shqiptar.

Konsorciumi fitues për ndërtimin e këtij aeroporti përbëhet nga Mabetex Group, YDA Group dhe 2A Group dhe punimet për ndërtimin e plotë të aeroportit do të jenë në disa faza.

Aktualisht në Shqipëri është funksional Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, ndërsa Aeroporti i Kukësit pas përfundimit të procedurave të licencave dhe testimeve nga kompanitë ajrore pritet të jetë funksional në muajt në vazhdim.

Kategoritë
LajmeRajoni