Kosova dhe SHBA-ja nënshkruan marrëveshje kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja

Marrëveshja u nënshkrua në Presidencën e Kosovës nga presidentja kosovare, Vjosa Osmani dhe nënsekretarja e SHBA-së për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen, e cila po qëndron për vizitë në Kosovë.

Kosova dhe SHBA-ja kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.

Marrëveshja u nënshkrua në Presidencën e Kosovës nga presidentja kosovare, Vjosa Osmani dhe nënsekretarja e SHBA-së për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen, e cila po qëndron për vizitë në Kosovë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, presidentja Osmani tha se SHBA-ja ka mbështetur pa rezervë shtetin kosovar në çdo etapë dhe po vazhdon edhe sot.Osmani tha se fushatat dezinformuese paraqesin një kërcënim të madh për stabilitetin dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, por edhe për Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.

Sipas saj, Kosova nuk është kursyer nga fushatat dezinformuese si rezultat i ndikimit të Rusisë në rajon “nëpërmjet satelitit të saj, Serbisë”.

“Marrëveshja e sotme lehtëson shkëmbimin e informacionit, ekspertizës dhe praktikave më të mira ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së në luftimin e manipulimit të informacionit. Kjo marrëveshje e mirëkuptimit do të nxisë edhe një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim më të madh ndërmjet institucioneve publike në vend, organizatave të shoqërisë civile, mediave në Kosovë dhe të gjitha palëve të interesuara”, theksoi Osmani

Nënsekretarja Allen, në fjalën e saj, tha se me presidenten Osmani biseduan për disa çështje, ndër to edhe çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, investimeve në rini dhe edukimin, si dhe për një Kosovë të begatë dhe me të ardhme më të mirë.

Allen theksoi se dezinformimi është një problem në rritje për shumë vende demokratike dhe qasja bilaterale ndaj tij mund të ndihmojë luftimin e tij.

“Memorandumi i mirëkuptimit që nënshkruam këtë mëngjes zyrtarizoi marrëdhënien tonë të shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimin në luftën kundër dezinformimit”, theksoi Allen.

Nënsekretarja amerikane po ashtu theksoi se siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimorë është prioriteti kyç.

Zyrtarja amerikane do të pritet në takim edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi