OKB konfirmon kërcënimin me vdekje ndaj raportueses së rastit Khashoggi nga zyrtari saudit

Callamard, e cila zhvilloi një intervistë me gazetën britanike The Guardian më 23 mars, deklaroi se në janar të vitit 2020, një zyrtar i lartë saudit ka thënë për të një takim në Gjenevë të Zvicrës se “do të merrej me të nëse nuk do të frenohej”

Kombet e Bashkuara (OKB) konfirmuan se Agnes Callamard, Raportuesja Speciale i OKB-së për Ekzekutime Jashtëgjyqësore dhe Arbitrare, e cila ka hetuar vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, është kërcënuar me vdekje nga një zyrtar saudit.

Callamard, e cila zhvilloi një intervistë me gazetën britanike The Guardian më 23 mars, deklaroi se në janar të vitit 2020, një zyrtar i lartë saudit ka thënë për të një takim në Gjenevë të Zvicrës se “do të merrej me të nëse nuk do të frenohej”.

Callamard tha se ky informacion iu dha asaj nga një kolegë dhe e pyetur se si perceptohet kjo deklaratë, ajo u përgjigj: “Një kërcënim me vdekje. Kështu u kuptua”.

Zëdhënësi i Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), Rupert Colville, tha për Anadolu Agency (AA) se raportuesja speciale Callamard u kërcënua nga zyrtari saudit.

“Unë mund të konfirmoj se detajet në raportimin e gazetës The Guardian në lidhje me kërcënimin ndaj Agnes Callamard janë të sakta. Pasi u bë kërcënimi, OHCHR e informoi vetë Callamard-in”, tha Colville.

Ai thksoi se në lidhje me rastin, OHCHR e ka informuar edhe njësinë e sigurisë së Zyrës së OKB-së në Gjenevë.

Colville po ashtu deklaroi se presidentja austriake e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në atë kohë, Elisabeth Tichy-Fisslberger, ishte informuar për kërcënimin, kurse ajo informacionin ua ka përcjellë autoriteteve relevante.

Ndryshe, në raportin e raportueses Callamard të publikuar në qershor të vitit 2019 thuhej se “vrasja e Khashoggi-t ishte një ekzekutim jashtëgjyqësor për të cilin përgjegjës është shteti i Arabisë Saudite”.

Nga ana tjetër, në raportin e publikuar muajin e kaluar nga Drejtoria Kombëtare e Inteligjencës së SHBA-së theksohej se “është arritur në përfundimin se princi saudit i kurorës Muhammad bin Salman e ka miratuar operacionin për kapjen dhe vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi në qytetin turk të Stambollit”.

Jamal Khashoggi u vra pasi hyri Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll më 2 tetor 2018 për të nxjerrë dokumentet e nevojshme për martesë.

Kategoritë
BotaLajme