Një agjencion turistik në Pejë lëshoi për udhëtarët teste false për COVID-19

Një mashkull dhe një femër e një agjencioni turistik në Pejë janë arrestuar me dyshimin se i kanë furnizuar udhëtarët me teste të falsifikuara dhe ato teste i kanë lëshuar në emër të një laboratori privat në Pejë.

Për këtë rast KOHA ka kontaktuar Prokurorinë Themelore të Pejës, e cila vetëm ka konfirmuar se janë arrestuar dy të dyshuar dhe janë ndaluar për 48 orë, por pa dhënë detaje tjera.

“Dy persona janë ndaluar nga prokurori i shtetit me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘Falsifikimi i dokumentit’. Të njëjtit dyshohen se i kanë furnizuar qytetarët me dokumente të testit anti Covid-19. Gjithashtu, ne koordinim me Policinë e Kosovës janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore”, tha për KOHËN zëdhënës i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

Sipas Nikçit prokurori i shtetit ka bërë edhe kërkesën për caktimin e masës se paraburgimit për dy të arrestuarit. Meqenëse hetimet janë në fillim, ende nuk dihet sa teste të falsifikuara për Covid-19 janë lëshuar nga dy të dyshuarit. KOHA mëson se këto teste mund të u janë lëshuar udhëtarëve që kanë udhëtuar jashtë vendit. KOHA ka kontaktuar laboratorin në emrin e të cilit janë lëshuar testet, nëse kanë pasur njohuri për testet e Covid-19 që janë dhënë në emër të laboratorit dhe që pastaj i kanë njoftuar organet e rendit.

“Ne nuk kemi të bëjmë asgjë me këtë punë. Veç është keqpërdorur emri i laboratorit tonë. Organet na kanë kontaktuar dhe ju kemi treguar se ato teste nuk janë lëshuar prej neve. Ne e kemi shikuar protokollin dhe është vërtetuar se nuk janë lëshuar prej laboratorit tonë ato teste të falsifikuara. Na nuk e kemi iniciuar rastin, por me duket se rasti është iniciuar nga Inspektorati Komunal i Pejës”, i ka thënë KOHËS ky laborator.

KOHA ka kontaktuar edhe Inspektoratin Komunal të Pejës, por aty kanë mohuar që kanë hasur në këto dokumente të falsifikuara dhe njëherit kanë mohuar se informata ka rrjedhë prej tyre.

“Jo, nuk po di për këtë rast dhe as që kemi informuar na policinë. Ne nuk e kemi pas këtë informatë për këtë rast. Tash po dëgjoj prej juve”, tha Qefsere Kelmendi-Lani, shefe e inspektorëve sanitar në Komunën e Pejës.

E në Policinë e Pejës vetëm kanë treguar se kanë pranuar një informatë se në një kompani po lëshohen teste të falsifikuara për Covid-19.

“Policia ka pranuar informacionin se në një kompani dyshohet se po lëshojnë teste të falsifikuara. Pastaj policia ka shkuar i ka arrestuar ata dy persona dhe pas intervistës është informuar prokurori, i cili ka urdhëruar ndalimin e tyre për 48 orë”, i ka thënë KOHËS Fadil Gashi, zëdhënës i policisë në Pejë.

Për këtë rast dhe arrestimin e dy të dyshuarve të mërkurën në mesditë, ka njoftuar të enjten edhe Policia e Kosovës, në raportin e saj 24 orësh.

“Janë arrestuar dy të dyshuar një mashkull dhe një femër kosovarë pasi që ata dyshohen se i kishin furnizuar qytetarët me dokumente të testit Covid-19. Njësiti relevant policor nga vendi i ngjarjes ka konfiskuar: tre telefona mobilë dhe dy shtëpiza kompjuteri. Në konsultim me prokurorin e shtetit të dyshuarit dërgohen në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kategoritë
LajmeVendi