Prodhuesve amerikanë të armëve do t’u duhen të paktën tre vite për të rikthyer rezervat e tre sistemeve kyçe të armatimit që u përdorën intensivisht gjatë luftës në Iran, thuhet në një analizë të publikuar të mërkurën.
Kjo ka shtuar më tej shqetësimet se forcat amerikane mund të kenë fuqi të kufizuar zjarri në çdo konflikt të ardhshëm me Kinën.
Sistemet e armatimit për të cilat bëhet fjalë janë raketat lundruese Tomahawk, që përdoren për goditjen e objektivave thellë në territorin armik, si dhe interceptorët Patriot dhe THAAD, të cilët shërbejnë për mbrojtje nga raketat dhe dronët që afrohen.
“Shtetet e Bashkuara kanë mjaftueshëm municion për çdo skenar të mundshëm në luftën me Iranin, por shterimi i rezervave ka krijuar një ‘dritare cenueshmërie’ për një konflikt të mundshëm në Paqësorin Perëndimor”, thuhet në raportin e ri të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), i siguruar nga Associated Press. “Koha e nevojshme për rikthimin e këtyre rezervave është bërë tashmë një shqetësim madhor”.
Kina ka deklaruar qartë se synon që ushtria e saj të jetë e aftë, nëse është e nevojshme edhe me forcë, ta marrë Tajvanin deri në vitin 2027, megjithëse ekspertët këtë e shohin më shumë si ambicie sesa si afat strikt. Megjithatë, presidenti kinez Xi Jinping paralajmëroi këtë muaj se SHBA-ja dhe Kina mund të përfundojnë në konflikt apo edhe luftë të hapur nëse Washingtoni i menaxhon keq marrëdhëniet me këtë ishull vetëqeverisës.
Analiza e këtij think-tanku nga Washingtoni merr parasysh propozimin historik të buxhetit të mbrojtjes prej 1.5 trilion dollarësh për vitin 2027 nga administrata republikane e Trumpit. Me këtë buxhet përshpejtohet ndjeshëm shpenzimi për municione të teknologjisë së lartë, proces i nisur gjatë administratës demokrate të Bidenit. Edhe pse në Kongres ekziston konsensus dypartiak për rritjen e rezervave, raporti thekson: “Sot problemi nuk është paraja; problemi është koha”.
“Duhet kohë për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe ndërtimin e këtyre sistemeve komplekse”, thuhet në raport, duke shtuar se kjo dritare cenueshmërie do të zgjasë “disa vite derisa rezervat të rikthehen në nivelet paraprake dhe edhe disa vite të tjera derisa të arrijnë nivelet që strategët ushtarakë dëshirojnë”.
Edhe pse të dhënat për rezervat e municionit janë konfidenciale, CSIS tha se në dokumentet buxhetore të Pentagonit ka mjaft informacione publike për të vlerësuar afatet kohore të prodhimit.
Presidenti Donald Trump dhe sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth kanë insistuar se SHBA-ja është e aftë të zhvillojë çdo luftë. Ata po ushtrojnë presion ndaj kompanive të mbrojtjes për të përshpejtuar prodhimin e armëve, ndërsa Hegseth muajin e kaluar u tha ligjvënësve amerikanë se shpenzimet ushtarake nën udhëheqjen e Trumpit do t’i ndihmojnë prodhuesit të dyfishojnë apo edhe trefishojnë kapacitetet.
Gjatë mbledhjes së kabinetit të Trumpit të mërkurën, Hegseth lavdëroi përpjekjet e presidentit për zgjerimin e sektorit shtetëror të prodhimit ushtarak, duke thënë se kontraktorët privatë po investojnë në fabrika dhe linja të reja prodhimi “në mënyrë që armët t’i marrim më shpejt se kurrë më parë”.
Zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, deklaroi se ushtria “ka gjithçka që i nevojitet për të vepruar në kohën dhe vendin që zgjedh presidenti”.
“Kemi realizuar operacione të shumta të suksesshme nëpër komandat tona luftarake, duke siguruar njëkohësisht që ushtria amerikane të posedojë një arsenal të madh aftësish për të mbrojtur popullin dhe interesat tona”, tha Parnell.
Megjithatë, disa ekspertë ushtarakë nuk pajtohen me këtë. Zyrtarët e Pentagonit “e dinin të vërtetën për rezervat tona ushtarake dhe shpresoj që dikujt i kanë thënë: ‘Nëse hyjmë në këtë luftë, edhe sipas vlerësimeve më konservatore po i çojmë rezervat tona në nivel kritik’”, tha Virginia Burger, analiste e lartë për politikën e mbrojtjes në organizatën mbikëqyrëse Project On Government Oversight dhe ish-oficere e marinsave.
Vlerësime të gabuara
Shqetësimet për zvogëlimin e rezervave kanë qenë temë kryesore në dëgjimet e fundit në Kongres. Për demokratët, rezervat e municionit janë prova kryesore kundër luftës në Iran, të cilën Trump e nisi pa miratimin e Kongresit. Disa republikanë, nga ana tjetër, argumentojnë se problemi buron nga vendimi i SHBA-së për t’i dërguar sistemet Patriot në Ukrainë pas pushtimit rus në vitin 2022, megjithëse disa aleatë amerikanë përdorin gjithashtu këto sisteme.
Rrënjët e problemit datojnë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, shpjegon Mark Cancian, kolonel i pensionuar i marinsave dhe këshilltar i lartë në CSIS, i cili e shkroi studimin bashkë me studiuesin Chris H. Park.
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në fund të vitit 1991, SHBA-ja supozonte se luftërat e ardhshme do të ishin të shkurtra dhe rajonale, me nevojë minimale për sasi të mëdha armësh të avancuara, tha Cancian.
Pentagoni porosiste sasi relativisht të vogla, sepse besohej se ushtrisë nuk do t’i duhej shumë armatim i tillë.
Edhe kompanitë ushtarake reaguan në të njëjtën mënyrë, duke bazuar prodhimin në kapacitete relativisht të vogla.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës tregoi se konfliktet mund të zgjasin shumë dhe kërkojnë rezerva të thella armësh moderne, tha Cancian. Në të njëjtën kohë, strategët ushtarakë amerikanë po përgatitnin përmes simulimeve plane për konflikte të mundshme në Paqësorin Perëndimor.
“Mënyra e të menduarit filloi të ndryshojë, por thjesht duhet kohë për krijimin e rezervave”, tha Cancian, duke shtuar se pjesë e problemit është edhe ndërtimi i rrjeteve komplekse të zinxhirëve të furnizimit dhe nënkontraktorëve që prodhojnë komponentë shumë të sofistikuar.
Administrata e presidentit Joe Biden meriton disa kredi për nisjen e bisedimeve me industrinë ushtarake, investimin në bazën industriale dhe rritjen e prodhimit, thotë Cancian.
“Shumë njerëz në administratën Trump kanë prirjen të thonë se gjithçka ishte katastrofë para se ata të vinin, por kjo nuk është e vërtetë”, tha Cancian. “Megjithatë, është e vërtetë që administrata Trump e ka rritur ndjeshëm financimin”.
SHBA-ja ka lëshuar mbi 1.000 raketa Tomahawk ndaj Iranit, ndërsa sipas vlerësimeve të CSIS mund të duhen vite, deri në fund të vitit 2030, që rezervat e para luftës të rikthehen plotësisht. Raporti thekson se prodhohen më pak se 200 raketa Tomahawk në vit për shkak të porosive të vogla të së kaluarës. Megjithatë, prodhuesi Raytheon synon ta rrisë kapacitetin në mbi 1.000 njësi në vit.
Kompania RTX, nën të cilën operon Raytheon, refuzoi të komentojë gjetjet e CSIS pasi ende nuk kishte parë raportin. Megjithatë, RTX rikujtoi investimet prej miliarda dollarësh për zgjerimin e prodhimit, përfshirë zgjerimin e objekteve në Alabama dhe Arizona.
Sa i përket sistemeve shumë të kërkuara të mbrojtjes ajrore, zëvendësimi i 290 interceptorëve THAAD që rrëzonin dronët dhe raketat iraniane mund të zgjasë deri në fund të vitit 2029, vlerëson CSIS. Ndërkaq, plotësimi i rezervave prej më shumë se 1.000 interceptorësh Patriot pritet të përfundojë deri në mesin e vitit 2029.
Lockheed Martin po rrit ndjeshëm prodhimin e municioneve për të dy sistemet, ndërsa dërgesat e THAAD “duket se janë riorientuar për t’i dhënë prioritet nevojave amerikane përpara atyre të aleatëve dhe partnerëve”, thuhet në raport.
“Dërgesat e Patriotëve paraqesin dilemë për SHBA-në për shkak të nevojës për të rindërtuar rezervat e veta, për ta ndihmuar Ukrainën kundër sulmeve raketore ruse dhe njëkohësisht për t’i përmbushur nevojat e 17 shteteve të tjera që përdorin këtë sistem”, thekson raporti.
Nga Lockheed Martin thanë se kompania po investon 9 miliardë dollarë deri në vitin 2030 dhe se “tashmë po jep rezultate konkrete në përmbushjen e kërkesës së rritur për municione, përfshirë ndërtimin e një fabrike të re në Alabama, së bashku me mbi 20 objekte të tjera në të gjithë SHBA-në”.
Ndërkohë, CSIS vlerëson se një konflikt i mundshëm me Kinën “nuk është aq i errët”, duke pasur parasysh se ushtria amerikane së fundmi demonstroi aftësitë e saj kundër Iranit, Venezuelës dhe rebelëve Huthi në Jemen.
“Kina është plotësisht e vetëdijshme se nuk ka përvojë të fundit luftarake dhe se performoi shumë dobët në luftën e fundit kundër Vietnamit në vitin 1979”, thuhet në raport. “Pikërisht kjo diferencë në përvojë mund ta ruajë efektin parandalues derisa rezervat amerikane të municionit të rikthehen sërish”.










