Marco Rubio paralajmëron tërheqjen e Amerikës nga negociatat “nëse nuk do të jetë e mundur të përfundojë lufta në Ukrainë”

Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Marco Rubio, ka deklaruar se Amerika do të tërhiqet nga negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë nëse së shpejti nuk arrihen rezultate konkrete, shkruan CNN.

“Nëse nuk do të jetë e mundur të ndalet lufta në Ukrainë, duhet të ecim përpara. Këtë duhet ta kuptojmë shumë shpejt. Bëhet fjalë për ditë,” tha Rubio në Paris.

Këto komente vijnë një ditë pasi ai dhe i dërguari special amerikan Steve Witkoff zhvilluan takime me përfaqësues evropianë dhe ukrainas, ndërsa administrata e presidentit amerikan Donald Trump përpiqet të përfundojë luftën e Rusisë në Ukrainë.

Sipas një deklarate të Departamentit të Shtetit, drafti i planit të paqes i hartuar nga SHBA ka hasur në “pritje inkurajuese” gjatë bisedimeve, edhe pse detajet e draftit nuk janë publikuar. Në deklaratë thuhet gjithashtu se Rubio ka zhvilluar bisedë edhe me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Duke folur të premten, Rubio tha se ai dhe Witkoff kishin ardhur në Paris për të “filluar të flasin për korniza më konkrete të asaj që mund të jetë e nevojshme për ta përfunduar luftën” dhe për të përcaktuar “nëse është fare e mundur të përfundojë kjo luftë.”

“Nëse nuk është e mundur, nëse qëndrimet janë aq të largëta sa që kjo nuk do të ndodhë, atëherë mendoj se presidenti ndoshta është në pikën kur do të thotë se mjaft më,” tha ai.

Rubio theksoi se “kjo nuk është lufta jonë” dhe se SHBA “nuk e ka nisur atë.”

“Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë Ukrainën tashmë për tre vjet dhe ne duam që lufta të përfundojë, por kjo nuk është lufta jonë,” shtoi ai.

 

Kategoritë
BotaLajme