Kosovë, ekspertët nga Türkiye do të realizojnë 16 operacione kardiokirurgjike tek fëmijët me probleme në zemër

Ministri Vitia ka falënderuar ambasadorin turk dhe ekspertët nga Türkiye për kontributin e vazhdueshëm që po japin për shëndetësinë kosovare.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, Ambasadori i Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı dhe drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar (SHSKUK), Elvir Azizi, kanë mirëpritur një ekip të mjekëve dhe ekspertëve nga Türkiye në Prishtinë, raporton Anadolu.

Siç konfirmoi për Anadolu, zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Shpend Fazliu, mjekët nga Türkiye gjatë javës do të kryejnë 16 operacione kardiokirurgjike tek fëmijët me probleme në zemër si dhe do të realizojnë 30 intervenime të tjera kardiologjike, përfshirë koronarografi dhe stentime dhe raste elektrofiziologjike.

Pas takimit të ministrit Vitia, ambasadorit Angılı dhe drejtorit të SHSKUK-së me mjekët nga Türkiye, Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet një njoftimi për media theksoi se Vitia ka falënderuar ambasadorin turk dhe ekspertët nga Türkiye për kontributin e vazhdueshëm që po japin për shëndetësinë kosovare.

Sipas njoftimit, Vitia tha se Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar për avancim të shërbimeve shëndetësore, andaj përkrahja dhe mbështetja e ekspertëve është e mirëseardhur.

Në emër të ekipit të ekspertëve, Alper Güzeltaş, tha se ndjehet i nderuar që është udhëheqës i ekipit dhe që ka mundësi të kontribuoj për fëmijët e Kosovës.

Ekipi i mjekëve po qëndron në Kosovë në bashkëpunim dhe mbështetje të organizatës “Muntada Aid”, kurse koordinimin punës e ka bërë mjeku nga Kosova, Ramush Bejiqi.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi