Kosovë, basketbollisti Berisha dhe xhudistja Krasniqi zgjidhen sportistët më të mirë të vitit 2020

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka zgjedhur sportistët më të mirë të vitit 2020 basketbollistin kosovar Dardan Berisha si dhe xhudistin Distria Krasniqi, ndërsa për trajnerin më të mirë, çmimi i është dhënë trajnerit të xhudos Driton Kuka

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka zgjedhur sportistët më të mirë të vitit 2020 basketbollistin kosovar Dardan Berisha si dhe xhudistin Distria Krasniqi, ndërsa për trajnerin më të mirë, çmimi i është dhënë trajnerit të xhudos Driton Kuka, raporton Anadolu Agency (AA).

Përpos këtyre çmimeve tre çmimeve, KOK për herë të tretë ka shpërblyer edhe xhudistin Laura Fazliu me çmimin “Shpresa Olimpike e Vitit”. Ndërsa, për herë të parë të njëjtin çmim e ka fituar karateisti Betim Maliqi.

Çmimin e përfaqësueses së vitit në konkurrencën e femrave e ka fituar për herë të dytë përfaqësuesja e futbollit e Kosovës, kurse në konkurrencën e meshkujve çmimin kryesor e ka marrë përfaqësuesja e basketbollit.

Ndërkaq, gjyqtari i boksit, Latif Demolli, kësaj radhe ka qenë fitues i “Çmimit Special” nga KOK-u.

Në ceremoninë e ndarjes së këtyre çmimeve, kryeministri në detyrë i Kosovës Avdullah Hoti tha se “emrin e Kosovës gjithmonë e kanë lartësuar sportistët tanë më shumë se sa politikanët”.

Hoti tha se sportistët e Kosovës ishin shumë të suksesshëm në vitet 1980, por që pa dyshim periudha më e ndritshme për sportistët kosovarë sipas tij është periudha e pasluftës ku shumë sportistë janë bërë pjesë e garave ndërkombëtare si dhe e ekipeve të mëdha botërore.

“Sportistët tanë në të gjitha anët e globit e kanë përfaqësuar Republikën e Kosovës dhe na kanë nderuar duke prezantuar flamurin tonë shtetëror, të Kosovës së pavarur, edhe në ato vende ku Kosova nuk është njohur si shtet i pavarur”, theksoi Hoti.

Hoti shtoi se përkundër ndryshimit të Qeverisë së Kosovës, sportistët do të vazhdojnë të kenë mbështetje nga institucionet qendrore.

Kryetari i Komitetit Olimpik Besim Hasani tha se Kosova edhe gjatë vitit 2020 vit i cili vështirësoi rrjedhën normale të sportit për shkak të pandemisë ka arritur t’i fitojë mbi 20 medalje në kampionate të ndryshme rajonale e evropiane.

“Sukseset në vitin 2020 në një vit mjaft të rëndë na bëjnë të jemi optimist sepse arritëm dy medalje elitare në senior në kampionatet evropiane të fituara nga Distria Krasniqi dhe Lorjana Kuka në xhudo. Arritëm 11 medalje për grupmoshat e reja po ashtu në kampionate evropiane, katër medalje në karate, dy medalje në boks, dy medalje në “taekwondo” dhe dy në xhudo. Tri medalje në kampionatet ballkanike për grupmoshat e reja, që të tria nga atletika, dy prej tyre të arta të arritura nga Muhamed Ramadani”, theksoi Hasani.

Xhudistja Distria Krasniqi mbylli vitin 2020 në vendin e parë në renditjen botërore dhe olimpike në kategorinë deri në 48 kilogramë, ndërkaq basketbollisti Dardan Berisha ishte më i dalluari sipas KOK-ut tek kombëtarja e Kosovës në basketboll.

Kategoritë
LajmeVendi