Kosova i kërkon Serbisë ta konfirmojë identitetin e personit të vrarë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka thënë se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi pas raportimeve për vrasjen e një shtetasi të Republikës së Kosovës në Serbi, ka kërkuar nga autoritetet serbe që të konfirmojnë identitetin e personit të vrarë sot në Loznicë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se Faton Hajrizi është vrarë sot pasi, sipas tij, ai kishte shtënë në drejtim të policëve serbe dhe se nuk ishte dorëzuar.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha gjithashtu se “do t’ju mbajë të informuar sapo të ketë informacione të reja në lidhje me këtë rast”.

Faton Hajrizi, i dyshuari për vrasjen e policit serb dhe plagosjen e kolegut të tij në Loznicë të Serbisë, është vrarë pas rreth 40 orë kërkimesh, siç deklarojnë autoritetet serbe.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoniVendi