Në mbledhjen e 295-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Elza Bajrami prezantoi raportin vjetor të Komisionit Ad-Hoc Mbikëqyrës për zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike për vitin 2025.
Ajo tha se raporti përfshin 19 vepra penale që hyjnë në kuadër të korrupsionit dhe 31 vepra penale që lidhen me krimet ekonomike.
Sipas saj, gjatë vitit 2025 shumica e kallëzimeve penale janë bërë nga qytetarët, pastaj nga Policia dhe organet publike, ndërsa prokuroritë kanë iniciuar vetëm 4 raste me vetiniciativë.
Bajrami-Kastrati bëri të ditur se viti 2025 ka filluar me 708 raste, janë pranuar 677, janë proceduar 529, ndërsa 1127 raste kanë mbetur ende në punë.
Ajo shtoi se Prokuroria Themelore e Gjilanit prin në trajtimin e kallëzimeve penale me 67%, ndërsa Mitrovica ka përqindjen më të ulët të trajtimit të rasteve.
Sipas saj, Prokuroria Themelore e Prizrenit prin në ngritjen e aktakuzave për rastet e korrupsionit, ndërsa Prokuroria e Pejës ka numrin më të ulët të aktakuzave dhe kryesisht ka hedhje të kallëzimeve dhe pushime të hetimeve.
Për Prokurorinë e Apelit u tha se shumicën e ankesave lidhur me hedhjet dhe pushimet i aprovon dhe i kthen në rivlerësim.
Sa i përket vendimeve gjyqësore, ajo tha se në shumicën e rasteve ka aktgjykime dënuese, përveç disa dallimeve në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ku vërehet balancë mes aktgjykimeve liruese dhe dënuese.
Në pjesën për krimet ekonomike, u raportua se shumica e kallëzimeve vijnë nga Policia dhe qytetarët, ndërsa prokuroritë me vetiniciativë kanë rol minimal.
Sipas raportit, viti 2025 ka filluar me 507 lëndë, janë pranuar 345, janë proceduar 279 dhe janë në punë 696 raste.
Prokuroria Themelore në Gjilan u tha se ka proceduar numrin më të madh të rasteve, ndërsa Mitrovica numrin më të ulët të trajtimit të tyre.
Gjithashtu u tha se Prokuroria e Gjakovës prin në ngritjen e aktakuzave për krimet ekonomike, ndërsa Mitrovica dhe Prokuroria Speciale kanë kryesisht hedhje të kallëzimeve dhe pushime të hetimeve.
Sipas raportit, rreth 90% e rasteve kanë përfunduar me aktgjykime dënuese, ndërsa në disa raste janë dhënë edhe aktgjykime lirimi, për të cilat janë ushtruar ankesa nga prokuroritë.
Në fund, u ngrit shqetësimi për kategorizimin e veprave penale dhe u kërkua rishikim i listës së korrupsionit dhe krimeve ekonomike për shkak të mospërputhjeve ndërmjet prokurorive.
Raporti u miratua me 7 vota për, pa vota kundër dhe abstenime.












