Automjeteve diplomatike u vihet flakë pranë ambasadës bullgare, qeveria dënon ashpër vandalizmin

Qeveria tha se veprime të tilla përbëjnë sulm ndaj parimeve të sigurisë, marrëdhënieve diplomatike dhe të drejtës ndërkombëtare dhe se nuk duhet të kenë vend në një shtet demokratik.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka dënuar ashpër djegien e automjeteve me status diplomatik në afërsi të Ambasadës së Bullgarisë në Shkup, duke e cilësuar incidentin si një akt vandal dhe të papranueshëm, transmeton Anadolu.

Në reagimin e saj, qeveria tha se veprime të tilla përbëjnë sulm ndaj parimeve të sigurisë, marrëdhënieve diplomatike dhe të drejtës ndërkombëtare dhe se nuk duhet të kenë vend në një shtet demokratik.

Autoritetet kompetente, sipas qeverisë, tashmë kanë ndërmarrë masa intensive për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e autorëve.

“Çdo përpjekje për të shkaktuar tensione, për të përhapur urrejtje ose për të cenuar sigurinë do të sanksionohet maksimalisht”, thuhet në reagimin e qeverisë.

Më tej, theksohet se shteti ka kapacitetin për t’u përgjigjur me forcën e plotë të institucioneve dhe se nuk do të lejohet që individë të dëmtojnë reputacionin e Maqedonisë së Veriut.

Qeveria shprehu pritjen për një hetim të shpejtë dhe efikas, zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vendosjen e përgjegjësisë penale për autorët.

Ndërkohë, edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e dënoi ashpër incidentin, duke njoftuar se Ministria e Punëve të Brendshme po ndërmerr masat e nevojshme për sqarimin e plotë të rastit dhe përcaktimin e të gjitha rrethanave të ngjarjes.

Ministria shprehu mbështetje të plotë për institucionet kompetente në drejtim të zhvillimit të një hetimi të shpejtë, efikas dhe transparent, me qëllim përcaktimin e përgjegjësisë dhe sanksionimin e autorit të ngjarjes.

Kategoritë
LajmeRajoni