Prishtinë, hapet edicioni i 26-të i Panairit të Librit

Udhëheqës të institucioneve në vend bashkë me organizatorët dhe dhjetëra qytetarë u mblodhën në ceremoninë hapëse të këtij edicioni i cili sivjet organizohet nën moton “Libri hap botën”

Në platonë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë është hapur sot edicioni i 26-të i Panairit të Librit, raporton Anadolu.

Udhëheqës të institucioneve në vend bashkë me organizatorët dhe dhjetëra qytetarë u mblodhën në ceremoninë hapëse të këtij edicioni i cili sivjet organizohet nën moton “Libri hap botën”.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli kërkoi mbështetje më të madhe institucionale për infrastrukturën kulturore dhe organizimin e panaireve. Ai tha se përmes librit breza të tërë njerëzisht kanë ruajtur, përcjellë dhe pasuruar përvojat, emocionet, dijet dhe historitë e tyre.

“Libri nuk është thjeshtë një grumbull faqesh të shtypura, është porta drejt botëve të panumërta, udhëtimi përtej kohës dhe hapësirës, mundësia për të mësuar, për të reflektuar dhe për të komunikuar me mendjet më të ndritura që ka njohur njerëzimi”, theksoi Zeneli.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu tha se panairi i librit është ndër ngjarjet e rralla ku libri del në qendër të vëmendjes publike. Ajo tha se edhe në Kosovë si në shumë vende të botës leximi po përballet me rënie të vëmendjes, trysninë e ekranit dhe ndryshim të shprehive.

“Një vend që e vendos librin në hapësirën publike qoftë edhe për disa ditë, tregon se ende e njeh peshën e fjalës së shkruar. Por, mirënjohja për këtë punë të madhe nuk na liron për ta parë gjendjen me kujdes. Duhet të flasim edhe për vendin që libri nuk po e zë në jetën tonë të përditshme. Leximi është një nga mënyrat e para se njeriu mëson të kuptojë botën përtej vetes”, theksoi Haxhiu.

Në këtë edicion marrin pjesë rreth 100 botues shqiptarë, ndërsa do të prezantohen afro 2 mijë tituj të rinj dhe rreth 6 mijë tituj të botuar gjatë viteve të fundit.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi