Turqia dhe Gjermania firmosin protokollin e bashkëpunimit ekonomik, synojnë vëllim tregtar prej 60 miliardë dollarësh

Ministrat e dy vendeve diskutuan investimet, modernizimin e Bashkimit Doganor dhe lehtësimin e vizave në takimin e JETCO-së.

Turqia dhe Gjermania nënshkruan të enjten një protokoll të ri të bashkëpunimit ekonomik dhe riafirmuan objektivin për rritjen e tregtisë dypalëshe në 60 miliardë dollarë, gjatë takimit të gjashtë të Komitetit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar Turqi–Gjermani (JETCO) në Ankara, transmeton Anadolu.

Ministri turk i Tregtisë, Omer Bolat, dhe ministrja gjermane e Ekonomisë dhe Energjisë, Katherina Reiche, morën pjesë në takim dhe në një tryezë me përfaqësues të biznesit nga të dy vendet në Ministrinë e Tregtisë.

Bolat tha se bisedimet u fokusuan në tregti, investime, bashkëpunim industrial, tranzicion energjetik, transformim të gjelbër dhe digjital, transport, ndërlidhje dhe mundësi bashkëpunimi në vende të treta.

– Objektivi tregtar: 60 miliardë dollarë

Ai tha se takimi vuri në pah forcën e partneritetit ekonomik mes dy vendeve, të ndërtuar mbi lidhje të thella, besim të ndërsjellë dhe interesa të përbashkëta.

Sipas Bolatit, Gjermania është një nga partnerët më të rëndësishëm investues dhe aleatët strategjikë të Turqisë, ndërsa tregtia dypalëshe ka kaluar 52 miliardë dollarë.

Ai shtoi se Gjermania është tregu më i madh i eksporteve të Turqisë, burimi i tretë më i madh i importeve dhe një nga investitorët e huaj kryesorë.

Kompanitë turke kanë investuar afro 3 miliardë dollarë në Gjermani, ndërsa kompanitë gjermane renditen të parat mes investitorëve të huaj në Turqi, me rreth 8.600 kompani aktive dhe 26,5 miliardë dollarë investime direkte.

– U diskutuan Bashkimi Doganor dhe vizat

Bolat tha se protokolli regjistron progresin e arritur dhe ofron një udhërrëfyes për bashkëpunimin e ardhshëm.

Ministrat diskutuan gjithashtu modernizimin e Bashkimit Doganor Turqi–BE.

“Ndërsa BE-ja po formëson politika të reja tregtare, industriale dhe të qëndrueshmërisë, përfshirë kornizën ‘Made in EU’, është jetike që këto nisma të mbeten gjithëpërfshirëse”, tha Bolat.

“Këto politika duhet të forcojnë zinxhirët e furnizimit shumë të integruar të ndërtuar gjatë dekadave”, shtoi ai.

Lehtësimi i vizave ishte gjithashtu në rend dite, veçanërisht sistemi gjerman i vizave “cascade”, i cili sipas Bolatit ka ndihmuar në përmirësimin e procedurave për prenotime dhe aplikime që nga korriku i vitit të kaluar.

“Shkalla e refuzimit të vizave ka rënë nga rreth 25 për qind në 14 për qind. Në këtë pikë, pala gjermane planifikon të përshpejtojë procesin për biznesmenët, studentët, artistët, anëtarët e OJQ-ve dhe transportuesit”, tha ai.

“Edhe një herë theksuam kërkesat tona të arsyeshme për lëvizje pa viza për qytetarët turq”, shtoi ministri.

– Gjermania e sheh Turqinë si partner të besueshëm

Reiche tha se të dy vendet po veprojnë në një mjedis gjeopolitik sfidues, gjë që e bën bashkëpunimin e qëndrueshëm dhe të bazuar në besim gjithnjë e më të rëndësishëm.

Ajo e përshkroi Turqinë si partner të besueshëm për Gjermaninë dhe theksoi se vendi është partneri i pestë më i madh tregtar i Bashkimit Evropian.

Sipas saj, tregtia e Gjermanisë me Turqinë përbën rreth një të katërtën e tregtisë totale të BE-së me këtë vend.

Reiche tha se të dy vendet ndajnë interesin për të mbështetur rritjen ekonomike, zgjeruar investimet e përbashkëta dhe nxitur më shumë investime gjermane në Turqi.

Ajo shtoi se besimi i investitorëve mbetet i fortë, me kompanitë gjermane që vazhdojnë praninë e tyre në Turqi duke zgjeruar operacionet ekzistuese dhe nisur investime të reja.

Kategoritë
BotaLajme