Federata e Futbollit të Iranit do t’i ankohet FIFA-s për kufizimet e udhëtimit në Kupën e Botës

Ankesa vjen pasi Irani u informua se do të lejohej të mbërrinte në Los Anxhelos vetëm 24 orë para ndeshjes së Grupit G kundër Belgjikës të dielën, megjithëse kishte kërkuar të udhëtojë dy ditë më herët si pjesë e përgatitjeve.

Federata e Futbollit të Iranit ka njoftuar se do të paraqesë një ankesë zyrtare në FIFA lidhur me kufizimet e udhëtimit të vendosura ndaj kombëtares gjatë Kupës së Botës 2026, duke argumentuar se këto masa e vendosin ekipin në disavantazh krahasuar me pjesëmarrësit e tjerë.

Ankesa vjen pasi Irani u informua se do të lejohej të mbërrinte në Los Anxhelos vetëm 24 orë para ndeshjes së Grupit G kundër Belgjikës të dielën, megjithëse kishte kërkuar të udhëtojë dy ditë më herët si pjesë e përgatitjeve.

Sipas kushteve të vizave të tyre, lojtarët dhe stafi iranian lejohen të hyjnë në SHBA vetëm një ditë para ndeshjes dhe duhet të largohen po atë ditë kur zhvillohet takimi. SHBA-ja është bashkëorganizatore e turneut së bashku me Kanadanë dhe Meksikën.

Federata e Futbollit e Iranit tha se kufizimet bien ndesh me parimin e trajtimit të barabartë për të gjitha ekipet.

“Federata e Futbollit e Iranit beson se kufizime të tilla janë në kundërshtim me parimin e sigurimit të kushteve të barabarta për të gjitha ekipet pjesëmarrëse dhe mund të ndikojnë negativisht në procesin e përgatitjes së tyre”, tha federate iraniane.

Më tej, thuhet se federata do të shprehë zyrtarisht pakënaqësinë e saj dhe do të paraqesë një ankesë në FIFA.

Mosmarrëveshja e fundit pason javë të tëra vështirësish logjistike dhe problemesh me vizat lidhur me pjesëmarrjen e Iranit në turne. Ekipi u detyrua të zhvendosë bazën e tij të Kupës së Botës nga Arizona në Tijuana të Meksikës, pasi problemet me vizat prekën disa zyrtarë të federatës dhe anëtarë të stafit mbështetës.

Zyrtarët iranianë janë ankuar gjithashtu për kufizimet që prekin anëtarët e delegacionit, qasjen e mediave dhe tifozët që ndjekin ndeshjet në SHBA. Çështja u përshkallëzua pas ndeshjes hapëse të Grupit G kundër Zelandës së Re në Los Anxhelos, e cila përfundoi me barazim 2-2.

Pas ndeshjes, trajneri Amir Ghalenoei e përshkroi Iranin si ekipin “më të shtypur” të turneut ndërsa kapiteni Mehdi Taremi tha se sfidat logjistike me të cilat është përballur skuadra i kanë shndërruar javët e fundit në një “katastrofë”.

Pakënaqësia buron pjesërisht nga fakti se Irani u detyrua të largohej menjëherë nga SHBA-ja pas ndeshjes me Zelandën e Re dhe të kthehej në bazën e ekipit në Tijuana, në vend që të qëndronte gjatë natës për rikuperim dhe stërvitje përpara se të udhëtonte sërish të nesërmen.

Pavarësisht mosmarrëveshjes, federata tha se kombëtarja do të vazhdojë përgatitjet dhe do të mbetet e përqendruar te ndeshja e së dielës kundër Belgjikës.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino vizitoi dhomën e zhveshjes së Iranit pas ndeshjes me Zelandën e Re dhe i përgëzoi lojtarët për këmbënguljen e tyre pavarësisht vështirësive që rrethojnë ekipin. “E di çfarë po kaloni. E kuptoj, por ju jeni më të fortë se gjithçka. Ju po dërgoni një mesazh të fortë për të gjithë botën”, u tha Infantino lojtarëve.

Kategoritë
Sport