Ismail Kartal merr sërish drejtimin e Fenerbahçes

Ish-trajneri i klubit rikthehet për periudhën e katërt me kontratë njëvjeçare.

Klubi turk i Superligës, Fenerbahçe, emëroi Ismail Kartalin si trajner të ekipit me kontratë njëvjeçare, njoftoi zyrtari i klubit, Cihan Kamer.

Duke folur në kanalin televiziv të klubit, FB TV, Kamer tha se Fenerbahçe ka arritur gjithashtu marrëveshje me Oguz Cetin për të shërbyer si drejtor futbolli.

Në një deklarim në Platformën e Zbulimit Publik (KAP), Fenerbahçe konfirmoi se Kartali ka nënshkruar kontratë njëvjeçare.

Kartali falënderoi presidentin e klubit, Aziz Yildirim dhe Cetin pas njoftimit.

“Rikthimi në shtëpi përsëri më bën shumë të lumtur”, tha Kartali në FB TV, duke shtuar: “Edhe fakti që presidenti ynë (Yildirim) më telefonoi dhe më pyeti si isha, ishte shumë emocionues për mua. Kemi kujtime shumë të veçanta së bashku nga e kaluara”.

“Emocionet mund të na çojnë vetëm deri në një pikë; ne duhet të përballemi me realitetin. Në sezonin e ri, unë dhe stafi im do ta kapërcejmë çdo sfidë si në Turqi ashtu edhe në Evropë”, shtoi ai.

Kartali tha se është i emocionuar që po nis periudhën e tij të katërt në krye të klubit dhe u zotua të bëjë gjithçka të mundur për të mos zhgënjyer drejtuesit apo tifozët e klubit.

Ish-futbollisti i Fenerbahçes, Dirk Kuyt, do të shërbejë si një nga ndihmëstrajnerët e Kartalit, njoftoi klubi.

Kategoritë
Sport