Llogaria e Beogradit pa hanxhiun: A po i kthehen Vuçiqit granatat që ia shet Izraelit në kokat e ushtarëve serbë?

Nënoficeri i lartë i Ushtrisë së Serbisë, Milovan Jovanović, humbi jetën disa ditë më parë në Liban si pjesëtar i misionit të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL), në një sulm për të cilin as Hezbollahu dhe as Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) nuk kanë marrë përgjegjësi.

Ky incident ka hapur shumë pyetje lidhur me eksportin e armëve dhe municioneve serbe drejt Izraelit, por edhe për blerjen e armëve izraelite nga Serbia.

Ndërsa pak ditë më parë në aeroportin e Bejrutit një tog nderi përcillte arkivolin e nënoficerit të vrarë Milovan Jovanović, shtrohet pyetja nëse dikush kujtoi edhe qindra arkat me granata dhe municione që prej dy vitesh transportohen nga avionët izraelitë nga aeroporti i Batajnicës.

Sipas gazetës izraelite Haaretz, gjatë tre viteve të fundit është regjistruar një rritje prej 40 për qind e eksportit të municioneve të artilerisë dhe këmbësorisë nga Serbia drejt Izraelit, në kuadër të marrëveshjeve të klasifikuara si “tepër sekrete”.

Mediat serbe raportojnë se gjithsej 3.000 tonë municione dhe mjete luftarake janë transportuar me avionë ushtarakë izraelitë nga aeroporti i Batajnicës në bazën ushtarake izraelite Nevatim. Vlera e këtyre dërgesave vlerësohet të jetë mbi 200 milionë euro, afërsisht sa i gjithë eksporti vjetor i industrisë ushtarake të Bosnje e Hercegovinës.

Megjithatë, pamja e marrëdhënieve serbo-izraelite, të cilat aktualisht ndodhen në kulmin e tyre, nuk do të ishte e plotë pa përmendur vdekjen e nënoficerit Jovanović në pozicionin e Marjayounit në jug të Libanit, si pasojë e një granate mortaje. Veçanërisht duke pasur parasysh se askush nuk ka marrë përgjegjësi për sulmin.

Nga ana tjetër, UNIFIL njoftoi menjëherë pas ngjarjes se do të zhvillojë një hetim për të përcaktuar përgjegjësinë për këtë sulm.

Granatat serbe dhe paqeruajtësit

Në korrik të vitit 2024 ishte regjistruar incidenti i parë ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë në Liban. Atëherë ishte qëlluar mbi një automjet të ushtrisë serbe gjatë një patrullimi, duke ngritur shqetësime për sigurinë e rreth 160 ushtarëve serbë që shërbejnë në kuadër të misionit UNIFIL.

Duke marrë parasysh të gjitha këto rrethana, pavarësisht nëse granata që vrau ushtarin serb ishte prodhuar në Serbi apo ishte lëshuar nga pozicionet e Hezbollahut, është e vështirë të kuptohen motivet e qeverisë serbe për të shitur municione që mund të përdoren kundër ushtarëve të saj.

Në parim, eksporti i armëve dhe pajisjeve ushtarake nuk konsiderohet i pranueshëm drejt vendeve ku institucionet shtetërore, shërbimet e inteligjencës apo ministritë vlerësojnë se mund të rrezikohen jetët e forcave të veta apo të qytetarëve të tyre.

Arsyet përse qeveria serbe rrezikon jetët e ushtarëve të saj në Liban duke i shitur Izraelit municione dhe granata janë shumë më të gjera sesa vetë rrezja e veprimit të obusëve dhe mortajave.

Këtë e mbështet edhe një raport i BIRN-it, sipas të cilit deri në vitin 2025 pothuajse gjysma e shkëmbimeve tregtare ndërmjet Izraelit dhe Serbisë lidhej me sektorin e mbrojtjes, përkatësisht me blerjen dhe shitjen e armëve dhe pajisjeve ushtarake.

Ministritë përkatëse të të dy vendeve, për shkak të klasifikimit si informacion sekret, nuk japin detaje për shitjet e armëve, prandaj mungojnë edhe reagimet zyrtare mbi këtë çështje.

Kompania izraelite Elbit Systems planifikon të hapë një fabrikë për prodhimin e dronëve në Serbi. Ushtria serbe tashmë përdor dronët izraelitë Hermes 900 dhe sistemet raketore PULS, ndërsa bashkëpunimi ndërmjet agjencive izraelite dhe serbe në fushën e mbrojtjes kibernetike po bëhet gjithnjë e më i ngushtë.

Për sa kohë që nga Izraeli vazhdojnë të vijnë para dhe pajisje ushtarake, nga Serbia do të vazhdojnë të nisen granata drejt Levantit. Sipas autorit të këtij shkrimi, disa prej tyre do të bien në Liban duke plagosur ose vrarë paqeruajtës të OKB-së në jug të lumit Litani, ndërsa të tjera mund të përdoren në operacionet ushtarake në Rripin e Gazës.

Kategoritë
LajmeRajoni