Republika e Kosovës e ka hapur Ambasadën e saj në Kuala Lumpur të Malajzisë.
Në përurimin e Ambasadës atje ka marrë pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se Ambasada është një dritare e re për Kosovën që hap mundësi të reja për bashkëpunim më të thellë.
Postimi I plotë:
Sot hapëm Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur, Malajzi.
Një dritare e re për vendin tonë, me plot mundësi për bashkëpunim edhe më të thellë me Malajzinë.
Një prani edhe më e fuqishme diplomatike në një nga rajonet më strategjike në Azi.
Një shtëpi më shumë e Kosovës, ku do të avancohen interesat e qytetarëve tanë, do të fuqizohen aleancat tona dhe do të mbrohet me vendosmëri shenjtëria e sakrificës së popullit të Kosovës për liri e shtet.