Konjufca: Ditët e fundit janë zvogëluar shanset për shpërndarjen e Kuvendit

Kryeparlamentari Glauk Konjufca lidhur me zgjedhjet e parakohshme ka thënë se partia në pushtet gjithmonë ka shprehur gatishmëri, e me këtë është pajtuar edhe PDK-ja, por që nuk ka pasur pajtueshmëri nga dy partitë tjera opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Konjufca tha para gazetarëve se kur të ketë konsensus të të gjitha partive politike, e që numri të jetë mbi 80, të mos jetë në kufi, pasi kështu mund të jetë me VV dhe PDK.

Ai theksoi se këto ditë janë zvogëluar shanset për shpërndarje të Kuvendit.

“Vullneti ka qenë qysh para disa muajsh edhe mazhoranca gjithmonë ka shpreh gatishmëri që kjo të ndodhë dhe për këtë arsye subjekti më i madh opozitar që është PDK është pajtuar, pra ka pasur një pajtueshmëri mes mazhornacës dhe subjektit më të madh opozitar, por të gjithë e kemi kuptuar qe kjo nuk duhet të jetë marrëveshje vetëm mes dy partive politike, por më e gjerë dhe sa e di unë oferta iu është bërë të gjitha subjekteve opozitare, dy prej tyre nuk janë pajtuar që të shkohet në zgjedhje në këtë mënyrë, kanë propozuar mënyrë tjetër, e unë sa e kam kuptuar këtë është që atyre iu duhet me shumë kohë dhe mendoj që nuk duhet të paragjykohen ato subjekte që kërkojnë me shume kohë për zgjedhje se kjo është e drejtë elementare njerëzore”.

“Por nëse nuk arrihet konsensus i të gjitha subjekteve që jemi dukshëm mbi numrin 80 e jo që jemi në kufi, sepse mund edhe të mos bëhet shpërndarja e Kuvendit, pasi kërkohet 2/3 e votave dhe vetëm mazhoranca me PDK do ishin në kufi të këtyre numrave, kjo është arsyeja pse kemi kërkuar një konsensus më të gjerë: Në kampin opozitar nuk ka pasur pajtueshmëri dhe mendoj që goxha shumë këto ditët e fundit janë zvogëluar shanset që Kuvendi të shpërndahet”, tha Konjufca.

Kryeparlamentari tha se sa ka informata ai do të ishte e pamundur të shkohet në zgjedhje në vjeshtë, pasi siç tha ai nëse kalojnë kufijtë kohor, atëherë mandati i kësaj qeverie do të konsumohet i plotë.

“Unë sa kam informata nga grupet opozitare do ishte e pamundur të shkohet në zgjedhje në vjeshtë për arsye se edhe vet PDK-ja sa e kam kuptuar këto i ka ndarë edhe me opinion publik. Ka dhënë qëndrime në media, kjo është njëfarë lloj afati i fundit për zgjedhje, pra afati i fundit do të ishte që java e parë e qershorit që të krijohej konsensusi mes partive politike. Nëse kalojnë kufijtë kohor, nuk do të kemi zgjedhje të parakohshme, dhe mandati do të konsumohet i plotë nga qeveria”, tha Konjufca./Reporteri.net/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi