Italia gjobit me 10 milionë euro kompaninë “Apple”

Italia ka gjobitur kompaninë “Apple” me arsyen se ka dhënë informacione të pasakta në promocionet dhe reklamat për cilësinë e telefonave të mençur për rezistencën ndaj ujit

Italia ka gjobitur me 10 milionë euro gjigantin amerikan të teknologjisë “Apple” me arsyen se ka dhënë informacione të padrejta (dezinformata) në promocionet dhe reklamat për cilësinë e telefonave të mençur për rezistencën ndaj ujit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën nga Autoritetit italian i konkurencës thuhet se “Apple International” dhe “Apple Italia” janë dënuar me një gjobë prej 10 milionë eurosh me arsyen se kanë dhënë informacione të pasakta (dezinformata) lidhur me cilësinë si të papërshkueshëm nga uji të telefonave të mençur dhe se garancia e produkteve pas shitjes nuk përfshin dëmet e shkaktuara nga lëngjet.

Në deklaratë vihet theksi se “Apple” gjatë prezantimeve të modeleve të ndryshëm të telefonëve iPhone nuk ka qartësuar se rezistenca ndaj ujit deri në 30 minuta në thellësinë nga 1 deri në 4 metra është i vlefshëm vetëm për testimet statike dhe laboratorike të bëra me ujë të pastër dhe se kjo nuk është e vlefshme për përdorimin në kushte normale.

Garancia e dhënë nga “Apple” gjatë shitjes së këtyre produkteve nuk përfshin dëmin e shkaktuar nga lëngjet, thuhet në deklaratën në të cilën potencohet se nuk është e qartë dhe e hapur se çfarë garancie ofrohet nëse merret në konsideratë cilësia “rezistent ndaj ujit” që nxirret në pah në reklamat për këto produkte.

Në deklaratë, mospërfshirja në garanci e telefonave iPhone të dëmtuar nga lëngjet pas shitjes cilësohet si një “praktikë agresive tregtare” e “Apple”-s. Thuhet se iPhone 8, iPhone 8 Plus, iPhone XR, iPhone XS, iPhone XS Max, iPhone 11, iPhone 11 Pro dhe iPhone 11 Pro Max janë modelet e telefonave të mençur në fjalë për të cilët promovimet dhe reklamat përmbajnë informacione të pasakta.

Kategoritë
BotaLajme