Hoxhaj në Katar takon ministra e deputetë, flet për mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe shoqëror

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron për vizitë zyrtare në Katar, në Doha, ku po merr pjesë në Forumin Ekonomik të Katarit.

Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, po merr pjesë në Forumin Ekonomik të Katarit në Doha, ku ka takuar edhe ministra e figura të rëndësishme të politikës.

Gjatë ditës së sotme, Hoxhaj, përmes postimit në Facebook, ka njoftuar se është takuar me  Kryetarin e Grupit të Miqësisë në mes të Katarit dhe Kosovës, Mohd bin Fahad Seif Al-Mesallam dhe Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Katarit, Yousef bin Ali Al Khater.

“Në Doha, sot takova edhe Kryetarin e Grupit të Miqësisë në mes të Katarit dhe Kosovës, Mohd bin Fahad Seif Al-Mesallam dhe Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Katarit, Yousef bin Ali Al Khater, me të cilët diskutova për zgjerimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe shoqëror në mes dy vendeve tona!”, ka shkruar Hoxhaj.

Gjithashtu, deputeti i PDK-së ka treguar se është takuar edhe me ish-ministrin e jashtëm dhe tani deputetin e Kuvendit të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu.

“Kënaqësi të takoj mikun tim, Mevlüt Çavuşoğlu, ish-ministër i jashtëm dhe deputet i Kuvendit të Turqisë dhe të bisedoja me të për tema të bashkëpunimit të ndërsjellë e tema të tjera në Evropë dhe Lindje të Mesme!”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Mëngjesin e sotëm, në ditën e parë të Forumit, Hoxhaj ishte pjesë e diskutimit të ministrit të jashtëm te shtetit të Katarit, ku u diskutua për luftërat në Evropë dhe Lindje të Mesme, ndikimin e tyre në politikën dhe ekonominë globale.

“Si dhe sa shumë luftëra në Evropë dhe në Lindje të Mesme po e ndryshojnë botën, është temë mes politikanëve, ndërmarrësve dhe mendimtarëve në Forumin Ekonomik të Katarit. Kënaqësi që sot jam pjesë e këtyre diskutimeve në Doha!”, ka shkrusr Hoxhaj, derisa ka shpërndarë edhe një video nga ky diskutim.

Kategoritë
BotaLajmeVendi