Një gjykatë gjermane dënoi sot një ish-oficer të inteligjencës në shërbimet e sigurisë të presidentit sirian Bashar al-Assad me burgim të përjetshëm për vrasje, përdhunim dhe krime kundër njerëzimit.
Anwar R. akuzohet për 58 vrasje, përdhunime dhe sulme seksuale në burgun në Damask, i cili monitorohej nga njësia e inteligjencës e drejtuar prej tij, raporton Reuters.
Ai mohoi të gjitha akuzat. Ishte rasti i parë penal në botë i nisur për shkak të torturës shtetërore gjatë luftës civile në Siri, e cila filloi në 2011.
Vitin e kaluar, Eyad A., një tjetër ish-anëtar i shërbimit të inteligjencës siriane, u dënua me katër vjet e gjysmë burg për mbështetje në torturimin e civilëve.
Ejad A. dhe Anwar R. u arrestuan në Gjermani në vitin 2019, disa vite pasi kërkuan azil në atë vend si refugjatë, kujtoi agjencia AP.
Gjyqi i dytë i një mjeku sirian i dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe torturë të të burgosurve në një spital ushtarak në qytetin e Homsit 2011-2012 do të fillojë javën e ardhshme në Frankfurt.
Prokurorët gjermanë e akuzojnë gjithashtu për vrasjen e një të burgosuri me injeksion vdekjeprurës.