Dogana e Kosovës ka njoftuar se deri më sot ka inkasuar mbi 1 miliard euro të hyra, duke arritur në 1 miliard e 7 milionë euro, që paraqet një rritje prej 5.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin inkasuar 955 milionë euro.
Sipas Doganës, ky rezultat është arritur falë performancës së qëndrueshme ekonomike, bashkëpunimit të ngushtë me sektorin privat, përmbushjes së detyrimeve ligjore nga komuniteti i biznesit, si dhe rritjes së efikasitetit në luftimin e ekonomisë joformale dhe krijimit të lehtësirave tregtare.
Në njoftim theksohet se një nga zhvillimet më të rëndësishme gjatë këtij viti është aplikimi i deklarimit para arritjes së mallrave.
“Ky hap vjen pas shtetëzimit të plotë të terminaleve doganore sipas vendimit të Kryeministrit, si dhe heqjes së pagesave për to – një sfidë e adresuar për vite me radhë në Raportin e Progresit, e cila vitin e kaluar u vlerësua si e tejkaluar,” thuhet në njoftimin e Doganës.
Sipas institucionit, rezultatet e para të këtij sistemi janë pozitive dhe janë mirëpritur nga komuniteti i tregtarëve.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në vazhdimin e përpjekjeve për avancimin e mëtejshëm të kapaciteteve të saj operative,” thuhet më tej në njoftim.













