Habib Nurmagomedov nderoi viktimat e gjenocidit në Srebrenicë: Publikimi i tij u pa nga milliona njerëz

Kampioni legjendar i UFC-së, Habib Nurmagomedov, shfrytëzoi numrin e madh të ndjekësve në rrjetet sociale për t’ua kujtuar miliona njerëzve në mbarë botën dhimbjen dhe pikëllimin e popullit të Bosnjë-Hercegovinës.

Ish-kampioni i pamposhtur në peshën e lehtë dhe një nga ikonat më të mëdha sportive dhe shoqërore të kohës sonë, Nurmagomedov tregoi edhe një herë solidaritetin dhe ndjeshmërinë e tij ndaj Bosnjë-Hercegovinës.

Habib bëri një publikim emocional në llogarinë e tij zyrtare në Instagram, ku ka 43,7 milionë ndjekës, me rastin e 31-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.

Luftëtari i njohur nga Dagestani shpërndau në Instagram Story publikimin e platformës së njohur “Muslim”. Në të shfaqej fotografia prekëse e një nëne nga Srebrenica, e cila lutej mes lotësh ndërmjet varreve të bardha.

Mbi fotografi ishte shkruar në gjuhën angleze mesazhi:

“Sot shënohen 31 vjet nga gjenocidi në Srebrenicë, në Bosnjë-Hercegovinë.”

Në pjesën e poshtme të publikimit që Nurmagomedov ndau me ndjekësit e tij, krahas tekstit, ishin vendosur edhe simboli i zemrës së thyer dhe flamuri i Bosnjë-Hercegovinës. Në këtë mënyrë, ai nderoi me dinjitet të gjitha viktimat e pafajshme.

Habib Nurmagomedov, i cili ndiqet nga dhjetëra miliona njerëz në rrjetet sociale, konsiderohet një nga sportistët më me ndikim në botë. Kjo nuk është hera e parë që ai shpreh publikisht respektin për Bosnjë-Hercegovinën dhe solidarizohet me vuajtjet që vendi ka përjetuar gjatë historisë.

Gjesti i fundit i Nurmagomedovit shkaktoi një valë komentesh pozitive dhe mirënjohje të madhe nga qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës. Ata vlerësojnë veçanërisht faktin që personalitete të njohura të sportit botëror përdorin ndikimin e tyre që e vërteta për Srebrenicën të mos harrohet kurrë.

Kategoritë
BotaLajme