Gjendje alarmante nga vërshimet në Skenderaj dhe Klinë, Rahoveci në gjendje stabile

Vërshime të mëdha kanë ndodhur sot në Komunën e Skenderajt dhe Klinës, si pasojë e të reshurave të shiut, teksa Rahoveci është në gjendje të mirë aktualisht.

Gjatë reshjeve të dendura, sot komuna e Skenderajt ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, shkruan lajmi.net.

Kryetari Fadil Nura e bëri të ditur për lajmi.net se situata nuk është aspak e mirë dhe reshjet po vazhdojnë. Sipas Nurës, nuk mbahet mend që në Skenderaj të ketë pasur kësi lloj vërshimesh.

Ai tha se ekipet kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe shumë familje janë evakuuar.

“Gjendja është jashtëzakonisht alarmante, për momentin ka reshje që nuk po ndalen. Nuk mbahet mend në Skenderaj që kanë ndodhur në nivel të tillë të vërshimeve. E kam shpall gjendjen e jashtëzakonshme dhe jemi duke punuar me ekipet në terren. Po ashtu janë evakuuar familje dhe do të shohim si do të rrjedh situata”, tha Nura.

Nura potencoi se ka pezulluar mësimin për sot dhe nesër.

“Si hap të parë jemi duke u marrë me evakuim pastaj do të shohim hapa të tjerë se a do të ketë nivel të reshjes apo çfarë tutje. Masa kemi marrë, kemi pezulluar mësimin sot pasdite dhe nesër nuk do të ketë mësim. Është fatkeqësi natyrore dhe është e pamundshme me i parapa të gjitha përnjëherë”, tha ai.

Nura tregoi se ka investuar për të mos pasur probleme të tilla por sipas tij, një nivel i tillë i reshjeve nuk ka ndodhur më herët.

“Kemi investuar në lumenj dhe në pika kyçe për mos me pasur problem me vërshime por një nivel i tillë i reshjeve nuk ka ndodhur më herët dhe komplet lumi Klina ka dalë nga shtrati për shkak të reshjeve që kanë ardhur nga drejtimi i Buçincës dhe Shtërpcës, pjesës administrative të Zubin Potokut”, u shpreh ai.

Situatë e vështirë duket të jetë edhe në Komunën e Klinës, ku kryetari Zenun Elezaj, tha se gjendja është vështirë e përballueshme sepse sipas tij, urat kanë arritur nivelet më të larta.

Ai tha se ekipet kanë dal në terren dhe po monitorojnë gjendjen.

“Vërshimet janë të mëdha si asnjëherë më parë, kryesisht urat janë pikat kyçe që ka arritur nivelet më të larta dhe jemi në terren me shumë ekipe duke monitoruar. Sigurisht ne radhë të parë është përkujdesja e njerëzve. Është vështirë e përballueshme sepse kishim një situatë para ca muajve të ngjashme, andaj duhet një përkushtim i lartë që të rregullohen shtretërit e lumenjve dhe të gjitha gjërat që rregullojnë dhe e pamundësojnë vërshimin”, tha Elezaj për lajmi.net.

Në fund ai nuk mohoi një rrezikshmëri sepse ka vërshimet në shtëpia.

“Nuk mund të them që nuk ka rrezik por që sigurisht jemi të gjithë vigjilent duke përcjell situatën deri të mos vjen deri në rrezik të njeriut. Ka vërshime edhe nëpër oborre dhe nëpër shtëpi dhe po presim qetësimin e situatës”, ka deklaruar Elezaj.

Në anën tjetër, situata e tillë e vërshimeve nuk ka përcjell Komunën e Rahovecit.

Kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, ka deklaruar për lajmi.net se në këtë komunë nuk është situata e njëjtë problematike si në komunat e tjera.

Ai tha se nuk është diçka serioze për shkak se sipas tij, janë marrë masa parandaluese për vërshime të krijuara nga reshjet atmosferike.

“Nuk kemi ndonjë situatë problematike por le të shpresojmë që nuk do të ketë probleme serioze për shkak se janë marrë disa masa dhe veprime parandaluese kështu që të shohim, një herë është gjithçka në rregull”, potencoi ai.

Komuna të tjera të prekura nga vërshimet ditën e sotme janë ajo e Pejës dhe Mitrovicës. /Lajmi.net/

Kategoritë
LajmeVendi