Organizatori i sulmeve ndaj Kullave Binjake, Khalid Sheikh Mohammed, u arrestua më 2003, por gjykimi ende nuk duket në horizont

Më shumë se 20 vjet pas arrestimit të Khalid Sheikh Mohammedit, i akuzuar për planifikimin e sulmeve të 11 shtatorit, gjykimi para një tribunali ushtarak amerikan vazhdon të mbetet i pasigurt.

Një gjykatës ushtarak amerikan caktoi së fundmi 5 qershorin 2028 si datën e fillimit të gjykimit ndaj Mohammedit dhe tre të bashkakuzuarve të tij. Megjithatë, një pjesë e ekspertëve juridikë vlerëson se procesi mund të mos përfundojë kurrë.

Si arsye kryesore përmenden çështjet e ndërlikuara juridike që lindën pas arrestimit të tij në Pakistan në vitin 2003 dhe torturimit të mëvonshëm gjatë mbajtjes në paraburgim nga autoritetet amerikane.

Në fund të gushtit, gjykatësi vendosi se prokuroria nuk mund ta përdorë rrëfimin që Mohammed pretendohet se ia dha FBI-së në vitin 2007.

Gjykata vlerësoi se deklaratat ishin komprometuar, sepse ai u ishte nënshtruar “teknikave të avancuara të marrjes në pyetje”, duke përfshirë edhe “waterboarding”, përkatësisht simulimin e mbytjes në ujë.

Megjithëse vendimi përbënte goditje për akuzën, Qeveria amerikane vendosi të mos ankohej për të mos e vonuar edhe më tej gjykimin e mundshëm.

Mohammed ndodhet në burgun e Guantánamo Bay që nga 5 shtatori 2006, pasi kishte kaluar më shumë se tre vjet në burgje sekrete në shtete të tjera.

Një raport i Senatit amerikan kishte dokumentuar më herët torturimin e tij të vazhdueshëm gjatë paraburgimit nga CIA-ja, përfshirë 183 seanca të simulimit të mbytjes në ujë.

Përpjekja që ai të gjykohej para një gjykate civile në Nju-Jork dështoi që në vitin 2009, pas kundërshtimit të një pjese të publikut dhe politikanëve për arsye sigurie.

Marrëveshja e mëvonshme për pranimin e fajësisë, e cila do t’i siguronte burgim të përjetshëm në vend të dënimit të mundshëm me vdekje, filloi të prishej menjëherë pasi u bë publike në vitin 2024. Marrëveshja dështoi përfundimisht vitin e kaluar.

Joshua Dratel, avokat që mori pjesë në sigurimin e mbrojtjes juridike të Mohammedit, deklaroi:

“Gjithçka është kontaminuar nga politika dhe mungesa e përgjegjësisë për torturën.”

Terry Strada, bashkëshorti i së cilës humbi jetën në Qendrën Botërore të Tregtisë, tha se familjet e viktimave vazhdojnë të kërkojnë përfundimin e procesit.

“Dëshirojmë shumë që kjo çështje të përfundojë në një moment. Duam që drejtësia të vihet në vend. Kjo është po aq e rëndësishme sa ishte edhe 25 vjet më parë”, deklaroi ajo.

Kategoritë
BotaLajme