Gastronomët kundër politikës: Ne dënohemi e ju me 500 veta në tubime

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka reaguar pas tubimeve elektorale anë kënd Kosovës nga partitë politike në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Sipas tyre, politikanët po e shkelin vet Ligjin për COVID duke tubuar në hapësira të ngushta numër të lartë të njerëzve, gjë për të cilën ata prej kohësh po dënohen.

Kryetari i kësaj shoqate, Petrit Kllokoqi, tha se ky është standard i dyfishtë pasi deri më tani mbi 5 mijë dënime janë shqiptuar për gastronomët për shkak të shkeljeve së masave anti-COVID përfshirë edhe për numrin e njerëzve brenda lokaleve.

“Kjo çka po shohim në Kosovë ka te bëjë me standarde te dyfishta. Mbi 5000 dënime për gastronomët e asnjë dënim për politikanët. Dasmat e diskotekat i keni mbyll, e edhe kafiterit po dënohen se po i lejojnë 5 persona në një tavolinë”, tha Kllokoqi duke ftuar gastornomet të mos paguajnë dënimet.

Sipas tij, shumë dënime ka pasur për shkak se pesë persona kanë qenë në një tavolinë ndërsa ajo çfarë shihet në fotot e postuara nga vet politikanët ka numër shumë më të lartë të njerëzve se sa pesë.

“Plot dënime na kanë ardhur në shoqatë për tavolina që i kanë mbi 5 persona bashkë, e në anën tjetër vetëm në foto çka po shohim janë qindra persona krah për krah njëri-tjetrit në fushata zgjedhore, jo 5 por 500”, vijoi ai.

Kllokoqi tha se kjo është për turp pasi mbi 10 mijë punëtorë janë larguar nga puna për shkak të mbylljes së gastronomisë ndërsa ka paralajmëruar një mbledhje urgjente për të martën.

“Marre që mbi 10 mijë punëtorë shkaku juaj (politikanëve) janë larguar nga puna. Gastronomë, të martën ejani në mbledhje urgjente. Jemi një. Jemi bashkë. Do vendosim për hapat e mëtutjeshëm”, përfundoi Kllokoqi.

Kategoritë
LajmeVendi