Burim nga Shtëpia e Bardhë: Trump urdhëroi Pentagonin të përgatisë plan për tërheqjen e forcave amerikane nga Evropa

Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e tërheqjes së një pjese të trupave amerikane nga Evropa, për shkak të pakënaqësisë me angazhimin e aleatëve të NATO në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit dhe ngecjes në planet për blerjen e Grenlandës, ka konfirmuar një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.

Zyrtari i lartë, i cili kërkoi anonimitet për të folur mbi diskutimet e brendshme, i tha Defence News se ende nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar dhe se Shtëpia e Bardhë nuk i ka kërkuar Pentagonit të hartojë plane konkrete për uljen e numrit të trupave në kontinentin evropian.

Vetë fakti që kjo mundësi po diskutohet tregon se sa janë përkeqësuar marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe aleatëve evropianë të NATO-s në muajt e fundit. Vizita e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, duket se nuk ka përmirësuar ndjeshëm marrëdhëniet transatlantike, të cilat thuhet se janë në nivelin më të ulët që nga themelimi i NATO-s në vitin 1949.

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur publikisht se Trump ka shqyrtuar edhe tërheqjen e plotë nga Aleanca. Ulja e numrit të ushtarëve amerikanë në Evropë do t’i mundësonte atij të zvogëlojë ndjeshëm angazhimet e sigurisë së Uashingtonit në kontinent pa u tërhequr formalisht nga NATO-ja, një hap që do të hapte edhe çështje kushtetuese.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës aktualisht kanë më shumë se 80.000 ushtarë në Evropë dhe luajnë një rol kyç në arkitekturën e sigurisë së kontinentit që nga Lufta e Dytë Botërore. Mbi 30.000 prej tyre janë të stacionuar në Gjermani, ndërsa një numër i konsiderueshëm ndodhet edhe në Itali, Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjë.

Zyrtari nuk specifikoi se cilat shtete mund të preken dhe as sa ushtarë mund të tërhiqen nëse Trump vendos të vazhdojë me këtë ide.

Marrëdhëniet e tensionuara të Trump me NATO-n janë përkeqësuar edhe më shumë në tre muajt e fundit. Në fillim të janarit ai shkaktoi një krizë transatlantike duke kërcënuar sërish me aneksimin e Grenlandës, territor i jashtëm i Danimarkës.

Që nga shpërthimi i luftës me Iranin më 28 shkurt, ai ka shprehur pakënaqësi të thellë për faktin se aleatët e NATO-s nuk kanë ofruar ndihmë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për furnizimin global me energji, e cila mbetet kryesisht e mbyllur pavarësisht armëpushimit të brishtë të shpallur këtë javë.

Diplomatët e NATO-s më herët kanë theksuar se SHBA-ja nuk ka sqaruar qartë nëse pret që një mision i mundshëm në Ngushticën e Hormuzit të nisë gjatë konfliktit apo pas tij, dhe as cilat kapacitete konkrete pret nga secili shtet anëtar.

Kategoritë
BotaLajme