Ambasadori i SHBA’së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në intervistën e tij të fundit ishte i qartë se aty ka po ngecë normalizimi mes Kosovës e Serbisë është tek zbatimi i ujdive, duke shtuar edhe vërejtjen se kjo ka pasoja, transmeton Gazeta Metro.
Në pjesën e shkëputur të intervistës së tij në Kanal 10 nga Ambasada Amerikane ishte zgjedhur pikërisht të theksohej ngecja dhe pasojat e zvarritjeve të mundshme.
“Ne mendojmë se sa më shumë që të ketë vonesë në zbatimin e një marrëveshje të mirë, Marrëveshjes Themelore dhe Aneksin e Implementimin të Ohrit, që janë ujdi të mira. Nuk ka shumë për t’u negociuar sa i përket zotimeve aktuale ndaj njëri tjetri, ka shumë për t’u bërë që të implementohet. Por sa më shumë që do të ketë vonesa në zbatim, situata për aq do të jetë më e brishtë”.Në takimin e fundit në Bruksel, të dy liderët e palëve kishin pranuar propozimin e fundit të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Me rezerva të tyre e parakushte, megjithëse BE kishte theksuar se nuk duan parakushte e vonesa.
Në Serbi tashmë janë shpallur zgjedhjet e parakohshme me 17 dhjetor ndërsa në Kosovë tashmë ka nisur retorika elektorale nga qeveria që proklamon rritje pagash dhe buxheti i rritur.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si në Prishtinë dhe në Beograd, kishte theksuar urgjencën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe benefitet poashtu, por kishte theksuar se integrimi europian i të dyjave varet direkt nga pikërisht zbatimi i marrëveshjeve të arritura.