​Zyra e Presidencës reagon ndaj aksionit të PSD-së

Zyra e presidentes në detyrë, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj aksionit të Partisë Socialdemokrate (PSD) e cila ka “përuruar” zyrën e presidencës si nëndegë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe se e veturat e presidencës tashmë janë shndërruar në veturat të partisë.

Në reagim thuhet se sipas ligjit Osmani obligohet të lëvizë me veturë të Policisë së Kosovës dhe nën mbrojtjen e saj 24 orëshe dhe se as presidentja e as stafi i saj nuk përdorë veturën e presidencës.

“U.d. Presidentja e Kosovës, dr. Vjosa Osmani sipas ligjit, obligohet të lëvizë me veturë të Policisë së Kosovës dhe nën mbrojtjen e saj 24 orëshe. As Presidentja e as stafi i saj nuk përdorin vetura të Presidencës. Të gjitha veturat e Presidencës, çdo ditë janë në parking, ndaj, pretendimet e PSD-së, janë të pavërteta dhe tendencioze”, thuhet në reagimin e presidencës.

Tutje në reagim thuhet se “Rivaliteti politik nuk duhet të përdoret për diskreditim të institucioneve të shtetit. Përgjegjësia që të ruhet integriteti i institucioneve shtetërore dhe drejtuesve të tyre është e të gjithëve”.

Kategoritë
LajmeVendi