​Pakënaqësitë e shkarkimeve çojnë policinë në Ministrinë e Infrastrukturës

Policia e Kosovës gjendet brenda objektit të Ministrisë së Infrastrukturës, ministri kjo që drejtohet nga ministri në detyrë, Arban Abrashi.

Siç mëson KosovaPress, arsyeja e prezencës së Policisë është kthimi i sekretarëve të kësaj ministrie në objekt.

Ndërsa sot Ministria e Infrastrukturës ka njfotuar se ministri Arban Abrashi, ka pezulluar nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm, Izedin Bytyqi dhe ndaj të njëjtit është inicuar procedura e shqyrtimit të shkeljes së rëndë disiplinore.

Bytyqi, gjatë muajit shkurt ka kthyer në punë si Udhëheqës të Departamentit të Prokurimit në MI, Nexhat Krasniqin, duke vepruar në kundërshtim me aktvendimin e plotfuqishëm të Gjykatës Supreme të Kosovës. Përmes këtij veprimi, Bytyqi bie ndesh edhe me zbatimin e parimit të ligjshmërisë dhe zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Moszbatimi i vendimit gjyqësor është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Sekretarit të Përgjithshëm dhe institucioneve përkatëse, duke i cenuar kështu edhe dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ministri Abrashi shpreh vendosmërinë për hapje rrugë të funksionimit të drejtësisë në MI dhe ndalim të tentimit për të manipuluar me dokumentet e lëshuara nga institucionet e drejtësisë në Republikën e Kosovës. Mbi këtë bazë, Bytyqi është liruar nga detyra të hënën (01.03.2021)”, thuhet në komunikatën e MI-së.

Kategoritë
LajmeVendi