​Haradinaj: Aleanca do të vazhdojë të tregojë konsistencë në temat e interesit nacional

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, reagoi pas certifikimit të rezultateve duke vlerësuar edhe një herë procesin zgjedhor të 14 shkurtit. Ai falënderoi të gjithë aktivistët, kandidatët dhe votuesit që i besuan Aleancës.

“Falënderoj të gjithë aktivistët dhe strukturat e Aleancës, për punën e vazhduar dhe të palodhur.

Falënderoj kandidatët tonë, nga vendi e diaspora, shumë prej tyre garues për herë të parë, të rinj e të reja që pasuruan me dijen e tyre organizatën tonë të përbashkët politike. Falënderoj veçanërisht, 62.111 votuesit nga Kosova e diaspora, burra e gra që i besuan Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, shkroi Haradinaj.

Ai shtoi se përkundër propagandave të qarqeve të ndryshme me të cilat vazhdimisht u sulmua Aleanca, e që nuk u argumentuan asnjëherë, votuesit vazhduan t’i besojnë ndërsa ftoi që ta bëjnë një gjë të tillë.

“Aleanca që gjatë tërë historisë së saj politike, ka dëshmuar konsistencë në temat e interesit nacional, do të vazhdojë njëjtë dhe besimi juaj do të rezultojë edhe me më shumë punë të mira për shtetin tonë dhe të ardhmen e ndritur të tij dhe për mirëqenien e të gjithë qytetarëve”, përfundoi Haradinaj.

Kategoritë
LajmeVendi